Presidenti amerikan Donald Trump thotë se Koreja e Jugut ka rënë dakord të “rrisë“ ndjeshëm kontributin e saj financiar që lidhet me praninë e trupave amerikane në Korenë e Jugut.
“Seuli ka pranuar të paguajë më shumë para për Shtetet e Bashkuara, në mënyrë që të mbrohet nga Koreja e Veriut“, shkruante zoti Trump në një postim në twitter të mërkurën.
Presidenti nuk sqaronte se sa më shumë pranoi të paguajë Seuli ndërsa tha se negociatat rreth ndarjes së kostove kanë filluar.
Por sipas zyrtarëve të Koresë së Jugut bisedimet për këtë çështje nuk kanë filluar ende.
Gjatë postimit të tij në twitter presidenti Trump shkruante se “gjatë dekadave të shkuara, SHBA-ja është paguar shumë pak nga Koreja e Jugut. Por vitin e kaluar, me kërkesë të tij, Seuli pagoi 990 milionë dollarë“.
SHBA-ja ka 28.500 trupa në Korenë e Jugut.
Njoftimi i zotit Trump vjen një ditë përpara vizitës në Seul të sekretarit amerikan të Mbrojtjes Mark Esper, i cili sipas medias lokale pritet të trajtojë në takime çështjen e ndarjes së kostove.
Pas muajsh bisedimesh shoqëruar shpesh nga polemikat, Koreja e Jugut ra dakord në muajin shkurt të paguajë 925 milionë dollarë për të mbështetur praninë ushtarake amerikane vitin e ardhshëm.
Kjo shumë shënon një rritje me 8 për qind krahasuar me një vit më parë, por shumë më pak sesa rritja prej 50 për qind që kishte kërkuar zoti Trump.