Ballina Bota SHBA akuzon Kinën për manipulim të monedhës

SHBA akuzon Kinën për manipulim të monedhës

Shtetet e Bashkuara e kanë emëruar zyrtarisht Kinën si një “manipuluese të monedhave”, një masë e cila do të intensifikojë tensionet midis dy ekonomive më të mëdha në botë.

Njoftimi nga Departamenti i Thesarit të SHBA-së, pason një rënie të mprehtë të vlerës së juanit kinez kundrejt dollarit.

Javën e kaluar, Kina u zotua se do të hakmerret pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se do të vendosë tarifa shtesë ndaj importeve kineze.

Departamenti i Thesarit përcakton manipulimin e monedhës, kur vendet ndikojnë qëllimisht në kursin e këmbimit midis monedhës së tyre dhe dollarit amerikan, për të fituar “avantazh konkurrues të padrejtë në tregtinë ndërkombëtare”.

Një juan më i dobët i bën eksportet kineze më konkurruese, ose më të lira për tu blerë me valutat e huaja.

Të hënën, Banka Popullore e Kinës tha që rënia e juanit ishte nxitur nga “masat e njëanshme dhe vendosja e rritjes së tarifave ndaj Kinës”.

Qeveria amerikane tha që Sekretari i Thesarit, Steven Mnuchin, tani do të angazhohet me Fondin Monetar Ndërkombëtar “për të eleminuar avantazhin e padrejtë konkurrues të krijuar nga veprimet e fundit të Kinës”.

Vendimi tronditi investitorët, dhe indekset kryesore të tregut të aksioneve të Wall Street regjistruan ditën e tyre më të keqe të tregtimit për vitin 2019.

Tregjet e Azisë gjithashtu raportuan rënie në tregun e aksioneve.