Ballina Aktualitet Pesë vende europiane bien dakord të pranojnë imigrantët e bllokuar në brigjet...

Pesë vende europiane bien dakord të pranojnë imigrantët e bllokuar në brigjet e Italisë

Një numër vendesh evropiane kanë rënë dakord që të pranojnë mbi 100 imigrantë që u shpëtuan në Mesdhe javën e kaluar. Italia nuk kishte pranuar që të lejonte imigrantët në anijen Gregoretti të Rojës Bregdetare që të zbrisnin dhe anija kishte mbetur në portin e Augustës për disa ditë, duke pritur për vendimin.

Situata e fundit e krijuar pasi Italia nuk po lejon imigrantët të zbarkojnë në portet e saj pasi janë shpëtuar në det, u zgjidh. Ministri i Brendshëm, Matteo Salvini pranoi zbarkimin e 100 imigrantëve në bord të Gregorettit, pasi u plotësuan kushtet e tij. Vetëm të miturit dhe ata që kishin nevoja urgjente shëndetësore ishin lejuar të zbarkoheshin më herët.

Zoti Salvini e kishte bërë shumë të qartë se deri kur të arrihej një marrëveshje për rishpërndarjen e imigrantëve në nivelin e Bashkimit Evropian, ata nuk do të lejoheshin të dilnin nga anija, që qëndroi e ankoruar në portin Augusta të Siçilisë për pesë ditë.

Zoti Salvini tha se problemi ishte zgjidhur, ndërsa pesë vende evropiane – Gjermania, Portugalia, Franca, Luksemburgu dhe Irlanda – si edhe disa ambjente të priftërinjve italianë, do të pranojnë 116 imigrantët që janë në anije.

Zoti Salvini ka thënë prej kohësh se Evropa nuk mund të vazhdojë të injorojë problemin e rrjedhës së vazhdueshme të imigrantëve që arrijnë në brigjet italiane, pasi kalojnë nga Libia. Shumë italianë janë dakord me zotin Salvini se Roma nuk mund ta përballojë këtë problem e vetme.

((ACT SALVINI, ITALIAN FADE))

Duke iu drejtuar italianëve përmes mediave sociale, zoti Salvini vazhdimisht thekson se sa serioze dhe rigoroze është politika e qeverisë së tij për për të mos lejuar hyrjen nga portet të atyre që arrijnë ilegalisht në Itali.

Një numër shtetesh të BE-së kanë kritikuar sjelljen e qeverisë italiane, duke thënë se imigrantët nuk mund të lihen të mbyten në Mesdhe. Por zoti Salvini e ka bërë të qartë se nuk do të tërhiqet. Dhe sapo iu dha rrugë zgjidhjes së bllokimit me Gregorettin, një tjetër situatë u shfaq në horizont.

Një anije shpëtimi e një organizate gjermane, Alan Kurdi po shkonte drejt ishullit italian të Lampeduzës me 40 imigrantë të shpëtuar nga një gomone e mbimbushur. Mes të tjersh në anije janë një grua shtatzënë, tre fpmijë, një burrë i plagosur dhe dy persona të tjerë që i shpëtuan një shpërthimi me bombë në Libi para tre javësh.

Salvini i quan këto operacione shpëtimin nga organizata humanitare “provokime” dhe ka nënshkruar një urdhër që ndalon anijen të hyjë në ujrat italiane.