Kush është në gjendje të thotë çfarë rruge ka marrë Europa? Përse gjërat nuk janë më në rregull? Publicistja polake Urszula Ptak flet në tren me pasagjerët për çështjet e politikës. Dhe rezultati është i habitshëm.
Njëkohësisht fillova të flisja për politikë me miqtë, familjarët, fqinjët dhe pasagjerët që takoja në tren. Kush është përgjegjës për gjendjen e krijuar, apo janë ambicjet tona më të mëdha se duhet, kush është në gjendje të më thotë çfarë rruge ka marrë Europa? Pse nuk janë gjërat më si duhet? Çfarë mendojnë njerëzit? Përgjigjet që japin politikanët i dimë përmendësh. Çfarë mendojnë polakët Jan dhe Maria Müller-Kowalskis? Për çudi përgjigjen ma dhanë menjëherë. Dukej sikur ata kishin pritur që të pyeteshin. Ata donin të më tregonin aq shumë gjëra, saqë mua mu desh të bëja hile për të dalë nga biseda.
Perime patriotike
Në Poloni politika është tema e parë e bisedave kur njerëzit takohen për kafe, kur takohen në piknik, tek pika e karburantit, kur presin autobuzin, trenin, tek dyqani i luleve dhe tek tregu i qytetit, kur shkova për të blerë domate polake.
Kastravecat “kombëtarë”, domatet dhe kumbullat kombëtare zgjuan tek tregu një diskutim që morri përmasa gjigande tek.
Si është më mirë që luleshtrydhet të shiten si “produke rajonale” apo si fruta kombëtare? A janë nacionalistë të këqinj njerëzit që preferojnë produktet lokale kurse ata që vlejnë domate të standartizuara nga Hollanda dhe Spanja, janë europianë të fortë?
Këtë pyetje unë e bëra me ironi, por ajo është një pyetje me të cilën me siguri do merremi gjatë këto kohë. Gjyshja ime ishte mishërimi i një ideali të cilin e synojmë edhe ne sot. Ajo vinte nga një botë rrezja e të cilës ishte 30 kilometra. Ajo ushqehej dhe jetonte gjithë jetës së saj me produkte rajonale dhe biologjike, pa i quajtur ato si të tilla, për të mos folur pastaj sa “bio” ishte ajo vetë. 40 vjet më vonë unë jetoj 600 kilometra larg vendit ku ka jetuar gjysha ime, dhe pi një limonatë bio të bërë me fruta guave dhe speca, një limonatë që shijon si shëllira e specave turshi. Limonata është prodhuar në Hamburg, por në shishe nuk shkruhet nga vijnë përbërësit e saj. Një dilemë e përditshme, për të cilën unë nuk isha e vetëdijshme kur bleva limonatën për të shuar etjen.
Udhëtimet edukojnë
Mua më pëlqen të udhëtoj me tren. Në mes të qershorit tek stacioni i trenit në Stettin pashë një burrë të moshuar me të bijën. Vajza, në mes të njëzetave, dukej e bukur, e veshur mirë por pak në stres. Mua mu krijua përshtypja që ajo donte vetëm që të vinte treni dhe të merrte të atin e ta largonte nga andej. Jo se vajza ishte e pasjellshme. Ajo e përqafoi të atin dhe e falenderoi, por lehtësimi iu duk në fytyrë kur erdhi treni. I ati dukej sikur vinte nga kohë të tjera, direkt nga vitet 80-të, me pantallona të vjetra dhe me një qese plastike në dorë. Ai dukej si një nga fshatarët e fëmijërisë time. Unë mendoj se ai ka ardhur të ndihmojë të bijën për t’ u zhvendosur në shtëpi të re, mbase e ka ndihmuar edhe ta lyej shtëpinë.
Ata të dy jo vetëm që vijnë nga breza të ndryshëm, por vijnë edhe nga botë të ndryshme. Unë mendova me vete që me siguri ia jep votën partisë polake në pushtet, partisë “Ligji dhe drejtësia” (PiS), pra konservator i djathtë, si të thuash një stereotip klasik polak, i moshuar, burrë, idhtar i PiS. Për çudinë time, fati e donte që ky burrë të ulej përballë meje në tren. Unë kisha në dorë një libër për skandalet e pedofilisë në kishën katolike polake. Lexova pak prej tij, morra frymë thellë, e lashë librin dhe fillova të shikoj rivierën. Libri zgjoi interes dhe u bë shkak për të filluar një bisede me dy gra të ulura afër meje. Asnjëra nga ato nuk kishte mirëkuptim për kishën, ato thanë se janë katolike e megjithatë nuk kishin ndër mend të besonin retorikën e peshkopëve polakë, që e deklaronin çdo skandal si rast të ndodhur vetëm një herë.
Fjalim i flaktë për Europën në trenin rajonal polak
Burri me qese plastike në dorë nuk fliste. Gratë zbritën nga treni unë morra në dorë librin dhe fillova të lexoj. Mbas një ore ai më pyeti nga vij unë. Iu përgjegja, nga Polonia jugore, por që jetoj prej 20 vjetësh në Berlin. Përgjigjen për këtë pyetje unë e kam vështirë ta jap. Burri më hapi zemrën. Ai filloi të lëvdonte rrugët e reja në Poloni dhe shprehu habinë për subvencionet e mëdha për bujqësinë. “Për herë të parë kemi marrë ndihmë të tillë”, tha ai duke shprehur gëzimin që e bija mëson tani gjuhë të huaja, që turistët gjermanë vizitojnë Poloninë dhe, që më në fund ne e shohim njëri tjetrin si fqinjë dhe jo si armiq. Por ai shau qeverinë polake. Unë nuk i besoja veshëve, kur dëgjova në këtë udhëtim me trenin rajonal nga Stetini në Svinemynde këtë fjalim të flaktë për Europën. Dhe më zuri turpi kur mendova sa gabim e kisha kur e paragjykova burrin fillimisht. Ai u largua duke me uruar fundjavë të këndshme dhe zbriti nga treni në një stacion, ku nuk dukej të kishte asnjë shtëpi.
Kur u ktheva me tren nga Stetini përballë meje ishin ulur të rinj polakë që kishin veshur bluza me shqiponjën polake dhe me mbishkrimin “Vdekje armiqve të atdheut”. Ata pinin birra dhe shkonin për të punuar në Berlin. Krah tyre, gra polake që punojnë duke mbajtur të moshuarit, flisnin duke thënë se në vend që të kujdesen për nipërit dhe mbesat duhet të shkojnë të kujdesen për të moshuarit në Gjermani. Ne nuk hapëm ndonjë bisedë. Dy orë rrugë me tren tregojnë se jeta është më komplekse se shumë libra analitikë.
Urszula Ptak, është publiciste polake që shkruan për historinë dhe politikën aktuale. Në vitin 2019 ajo morri çmimin gjermano- polak për gazetari, çmimin Tadeusz-Mazowiecki.