Ballina Kulturë Bilbilit të lirisë! – Nga Gani QARRI – Zvicër

Bilbilit të lirisë! – Nga Gani QARRI – Zvicër

Lajmi që iu shpërnda tokës e qiellit

Edhe mbarë botës iu pat dhënë

Se dardanët kurrë më,nuk durojnë këmbë serbi

Aty ku bukës-Bukë dhe ujit-Ujë i kanë thënë

E sapo kushtrimi arbëror mori dheun 

Se edhe një luftë po niste Dardania

Trimat me silueta Mic Sokolash
Zbritën me madhështi nga Malësia

Njëri prej djemve më sypatrembur

Që luftës ndër të parët, iu përgjigj si  luani

Ishte pasardhësi i denjë i  heroit Mic Sokoli

Ushtari i tri luftërave të kombit,trim Bylbyl Breçani

 

Në zemër të shqipes kudo që kërciste pushka

Bilbili aty ku u vendos, nuk e lëshoi më pritën

Ai jo vetëm që dëshmoi se si qëndrohet në fronte lufte

Por u bë shembull edhe si duhet thyer serbëve ekspeditën 


Kur betejat çlirimtare sa vinin e zgjeroheshin
Në Dardani, këto dhena tonat të vjetra biblike

Djemtë e Sylë Vokshit, Bacë Bajramit dhe Isë Buletinit

Qëndresën arbërore për liri, e bënin edhe më heroike

Bilbili-legjendë i mbështjellë me lavdi

I cili edhe luftës iu bashkua ndër të parët

Erdhi dhe ra burrërisht,për të mos vdekur kurrë

Siç e kanë traditë të përjetësohen vetëm shqiptarët

Për trojet dhe gjakun që nuk shitet as falet

Bilbil trimi, lirinë në ballë e kishte të shkruar

Ai siç iu përgjigj trimërisht kushtrimit të kryengritjes

Edhe u flijua heroikisht, për çlirimin e tokës tonë të bekuar

Kudo që luftuan Tahir Sinani e Bilbil Breçani

Dhe djemtë tjerë të ardhur vullnetar nga Malësia

Faktet flasin se andej kurrë më nuk shkeli këmbë serbi

Por u çlirua vendi dhe vendos përgjithmonë liria


Ishin vite ato kur as pranverat nuk çelnin lule

Vetëm tradhtarët ende stërkeqeshin nëpër kolltuqe

Përderisa Bilbilët e lirisë gjithandej tokave të Kosovës

Edhe borën e dimrit nëpër istikame,e bënin të kuqe

UÇK okupatorin serb e shënonte me grykë pushke

Ndërsa NATO- nga ajri u hidhte mijëra bomba turinjve

Liria që po afronte sfidohej ende me sakrifica të mëdha

Kur Serbia mbi një milion shqipe, i dëboi jashtë kufijve

Kështu që Tahir Sinani e Bilbil Breçani me shokë

Të cilët Dardanisë i erdhën në ndihmë nga Malësia e mirë

Flijuan si burrat, dijen, trimërinë dhe jetën e tyre për këtë tokë

Në mënyrë që edhe vëllezërit dardan të jetonin në Kosovën e lirë 

Ndaj nuk vonoi shumë e një ditë erdhi liria

Dhe marshimi i çlirimtarëve dëgjohej nga larg

Pasardhësit e dardanëve trima me këngën e Bilbil Breçanit në gojë  

Ktheheshin nga lufta, duke lidhur fitoret e lavdisë së shekujve, në varg

Bilbil Breçani edhe në Kosharen legjendare

Dëshmoi me trimërinë e tij, si asnjë tjetër

Se çdo të thotë të jesh ushtar i kombit

Dhe nip i heroit Mic Sokoli nga Malësi e vjetër

Me luftë ai nderoi atdheun, vendlindjen dhe familjen

Bujanin historik, Binak Alinë, farefisin dhe të gjithë heronjtë në Malësi

E me trimërinë dhe sakrificën për vëllezërit e gjuhës dhe të gjakut dardano-ilir

Hero Bylbyl Breçani u shndërrua në legjendë dhe mbështoll përgjithmonë me Lavdi!

Gani Qarri