Ballina Aktualitet Përfundon dërgesa e parë e sistemit raketor rus në Turqi

Përfundon dërgesa e parë e sistemit raketor rus në Turqi

Zyrtarët turq thonë se largimi i Turqisë nga programi i furnizimit me aeroplanët ushtarakë amerikanë F-35, ende nuk është finalizuar.

“Ankaraja mbetet e pezulluar për momentin, dhe nuk është e qartë nëse Turqia do të rimbursohet për investimet e saja në këtë projekt”, kanë deklaruar zyrtarët turq, raporton Reuters.

Shtetet e Bashkuara, thanë javën e kaluar, se janë duke e larguar Turqinë nga programi i F-35, një masë që është paralajmëruar më herët, pasi Ankaraja filloi të pranonte dorëzimin e sistemit të avancuar të mbrojtjes raketore S-400 nga ana e Rusisë.

SHBA-ja e ka kundërshtuar blerjen e sistemit rus nga ana e Turqisë pasi ai, sipas zyrtarëve amerikanë, rrezikon sigurinë e aeroplanëve ushtarakë të SHBA-së.

Pas deklaratave amerikane, Rusia tha se ishte e gatshme të furnizonte Turqinë me aeroplanë ushtarakë SU-35.

Por, Ankaraja tha se nuk ka zhvilluar bisedime me Rusinë për këtë çështje.

Ndërkohë, dërgesa e parë e sistemeve të mbrojtjes ruse S-400 në Turqi ka përfunduar, dhe një dërgesë e dytë tani është duke u planifikuar për të arritur në Ankara, thanë zyrtarët ushtarakë turq.

Të enjten, Turqia tha se ishte ende e angazhuar në bisedimet me zyrtarët e SHBA-së, për të blerë sistemin e mbrojtjes Patriot, të cilën Uashingtoni e kishte ofruar si një alternativë ndaj S-400-s.