Ballina Shëndet Përkrahja e gjidhënies mund t’i kursejë ekonomisë botërore 1 miliardë dollarë në...

Përkrahja e gjidhënies mund t’i kursejë ekonomisë botërore 1 miliardë dollarë në ditë

Të ushqesh një bebe, kërkon shumë mund, pavarësisht asaj se me çfarë e ushqen. Të gjithë prindërit kanë nevojë për përkrahje, qoftë qumësht gjiri apo formulë ajo që i japin fëmijës së tyre. Por, realiteti është se shumica e nënave gjykohen për zgjedhjen që bëjnë. Nënat që zgjedhin ose detyrohen të përdorin formulë, shpesh ndihen të stigmatizuara, përderisa nënat që ushqejnë me qumësht gjiri shpesh qortohen për ushqyerjen në vende publike ose përballen me vështirësi në vendin e punës të cilat ua pamundësojnë realizimin e këtij procesi.

Një faqe e re ueb, e krijuar nga studiuesit Phan Hong Linh, Roger Mathisen dhe Dylan Walters sugjeron se, në nivel botëror, dështimi në përkrahjen e gjidhënies na kushton rreth 341 miliardë dollarë.

Vegla e quajtur “Çmimi i mos ushqyerjes me gji”  është zhvilluar nga Alive & Thrive, një nismë kjo për të shpëtuar jetë dhe për t’i parandaluar sëmundjet në mbarë botën përmes “ushqyerjes më të mirë nga nëna, gjidhënies, dhe praktikat plotësuese të ushqyerjes”. Faqja nuk targeton prindër individual që e kanë të pamundur ose zgjedhin të mos ushqejnë me gji. Bëhet fjalë për një vegël që ilustron humbjet globale ekonomike që mund t’i mvishen përqindjes së ulët të bebeve të ushqyerja me qumësht gjiri.

Studiuesit para kësaj vegle shpresojnë që ligjvënësit do ta shohin këtë dhe të vendosin të dedikojnë më shumë mjete për t’i përkrahur prindërit.

Me ndihmën e kësaj vegle, mund t’i shihni statistikat e kostove për 34 shtete të ndryshme. Në SHBA, ku vetëm 24% e femijëve ushqehen vetëm me qumësht gjiri, vlerësohet se kushton më shumë se 28 milion dollarë vetëm për t’i trajtuar rastet me diare dhe infeksione të sistemit të frymëmarrjes tek fëmijët të cilat mund të ishin parandaluar nëse më shumë nëna do të përkraheshin në procesin e gjidhënies.

Megjithëse shumë nga shtetet në zhvillim kanë përqindje më të larta të ushqyerjes me gji sesa SHBA-të, kostoja e mos ushqyerjes me gji të pjesës tjetër të fëmijve është më e lartë. Kjo supozohet se është për shkak se rreziku nga sëmundjet është veçmë më i lartë në këto vende (për shkak të faktorëve si varfëria, cilësia e ujit, e të tjera).

Alive & Thrive ka grumbulluar të dhëna për vdekshmërinë (nga fëmijët dhe nënat), rastet e diaresë, pneumonisë dhe obezitetit tek fëmijët, e që të gjitha këto mund t’i mvishen mos ushqyerjes me gji; rastet e kancerin të gjirit, kancerit të vezorëve, diabetit të tipit 2 tek nënat; kostot e trajtimeve mjekësore për këto sëmundje, koston e formulës, dhe pastaj koston për ekonominë që krijon humbja e jetëve të fëmijëve dhe të pasurit fëmijë dhe nëna të sëmura.

Shumica e këtyre shifrave janë supozime, të bazuara në supozime, por është e vështirë të argumentosh kundër tablosë më të madhe të kësaj teorie, thotë ekonomisti shëndetësor Dylan Walters. “Duhet të jemi të ndjeshëm ndaj kufizimeve dhe vështirësive me të cilat përballen nënat dhe familjet në një botë të cilës i mungojnë sistemet themelore të mbështetjes për mirëqenien e tyre fizike, psiko-sociale dhe ekonomike.” – thotë Walters.

Organizata Botërore e Shëndetit rekomandon që fëmijët të ushqehen vetëm me qumësht gjiri përgjatë gjashtë muajve të parë, dhe pastaj të marrin një kombinim të qumështit të gjirit dhe ushqimeve tjera deri në moshën dy vjeçare. UNICEF përllogarit se në nivel botëror, sipas statistikave të vitit 2016, 43% e fëmijëve ushqehen vetëm me qumësht gjiri gjatë gjashtë muajve të parë të jetës, dhe 46% prej tyre vazhdojnë deri në moshën 2 vjeçe.

Papërputhshmëria mes asaj që rekomandohet dhe asaj që në fakt përkrahet është shokuese. Nënave u thuhet të ushqejnë më qumësht gjiri, por pastaj ato qortohen kur ushqejnë në publik, ose e kanë të pamundur të pompojnë qumështin në vendin e punës. Kjo mungesë e përkrahjes po e bën amësinë – diçka që veçmë është thellësisht emocionale dhe psiqikisht lodhëse – edhe më të vështirë. Megjithatë, biseda për ushqyerjen e fëmijëve nuk duhet të jetë për ta përkrahur një metodë, mbi tjetrën, por për t’i përkrahur nënat në zgjedhjet e tyre.

Burimi: mother.ly
Përshtatja: supergrate.net