Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behxhet Pacolli, në fjalimin e tij në Ministerialin mbi lirinë fetare që u organizua në Uashington, ka thënë se Kosova është një shembull në rajon dhe më gjerë në lidhje me tolerancën ndërfetare dhe bashkëjetesën e religjioneve.
“Ne do të promovojmë këtë vlerë dhe trashëgiminë e Kosovës dhe jemi të lumtur ta ndajmë atë në mbarë botën. Ne do të vazhdojmë të punojmë me qeverinë amerikane për të adresuar rëndësinë e lirive fetare dhe për të marrë iniciativa të përbashkëta me partnerët tanë”, ka thënë Pacolli në konferencën, në të cilën, u diskutua për lirinë fetare, nga përfaqësuesit e 106 vendeve të botës.
Ai përmes një postimi në Facebook, tha se në këtë konferencë ka folur edhe për “mozaikun shumë-fetar dhe etnik të Kosovës”.
“Në rrugëtimin tonë përpara ne duhet të shohim përsëri në traditën tonë të gjatë të bashkëjetesës paqësore midis feve të ndryshme, ne, myslimanët, katolikët, ortodoksët, protestantët, hebrenjtë dhe shumë komunitete të tjera jetojmë së bashku në harmoni dhe bashkëjetesë”, ka thënë Pacolli.
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, në fjalimin e tij, si nikoqir i konferencës, u fokusua në trajtimin që Kina bën ndaj pakicës myslimane ujgure.
Pompeo e quajti trajtimin e Kinës ndaj pakicës myslimane ujgure “njollën e shekullit” dhe e akuzoi Pekinin, për nxitjen e vendeve, që të mos marrin pjesë në konferencë.
“Kina është shtëpia e një prej krizave më të këqija të të drejtave të njeriut të kohës sonë, është me të vërtetë njollë e shekullit”, tha Pompeo në ditën e fundit të konferencës ndërkombëtare në Uashington.
Pompeo tha se zyrtarët e qeverisë kineze kishin provuar të dekurajonin vendet nga pjesëmarrja në konferencën tre-ditore.
Vërejtjet e Pompeos erdhën një ditë pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u takua në Shtëpinë e Bardhë me viktimat e persekutimit fetar nga vendet përfshirë Kinën, Turqinë, Korenë e Veriut, Iranin dhe Mianmarin.
Qeveria kineze të enjten kundërshtoi çdo kritikë se ajo abuzon me të drejtat fetare dhe njerëzore.
Nënpresidenti i SHBA-së, Mike Pence, i cili sikurse Pompeo, ka qenë një kritik i fuqishëm i Kinës, tha në të njëjtën konferencë se bisedimet e vazhdueshme tregtare amerikane me Kinën nuk do të ndikojnë në angazhimin ndaj lirisë së fesë.
Dhjetra vende në Këshillin e të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara i kërkuan Kinës që të ndalojë persekutimin e ujgurëve etnikë në rajonin e saj perëndimor të Xinjiangut.