Ballina Bota Tri fuqitë europiane apel për ulje tensioni Teheran – SHBA

Tri fuqitë europiane apel për ulje tensioni Teheran – SHBA

Gjermania, Franca e Britania e Madhe bëjnë thirrje për veprim “të përgjegjshëm” për të ulur tensionet mes Teheranit dhe SHBA mbi marrëveshjen atomike të vitit 2015 pasi Irani shkeli kufizimet mbi pasurimin e uraniumit.

Tri fuqitë kryesore evropiane të dielën (14.07) bënё thirrje tё gjenden mënyrat për ta ndaluar përshkallëzimin e tensioneve dhe për të rifilluar dialogun lidhur me programin bërthamor të Iranit.
Në një deklaratë të përbashkët të lëshuar nga Pallati Elysee në ditën e festës kombëtare tё Francës, liderët e Britanisë sё Madhe, Francës dhe Gjermanisë thanë se “ka ardhur momenti për të vepruar në mënyrë të përgjegjshme”, për të shmangur dёshtimin e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015.
“Rreziqet janë të tilla sa që është e nevojshme që palëve t’u jepet kohё të reflektojnë dhe të mendojnë për pasojat e mundshme të veprimeve të tyre”, thuhet në deklaratë.

Gjatë 10 ditëve të fundit, Teherani ka shkelur dy herë afatet e marrëveshjes historike me gjashtë fuqitë botërore – të njohura si Plani i Përbashkët i Veprimit (JCPOA) –  që synonte të shtynte kohën që i nevojitej Iranit për konstruktimin e një bombe atomike.
Pasi Presidenti i SHBA, Donald Trump vitin e kaluar deklaroi tёrheqjen e SHBA nga marrëveshja JCPOA dhe vendosi sanksionet ndaj Republikës Islamike. Irani i zgjeroi kufijtë e procesit pёr pasurimin e uraniumit.
Udhëheqësit e Iranit janë të indinjuar, se ekonomia e dobësuar nё vend nuk po përfiton nga lehtësimi i sanksioneve të premtuar sipas marrëveshjes.
Duke reaguar ndaj shkeljes nga Irani, vendet evropiane thanë të dielën (14.07): “Ne jemi të shqetësuar nga rreziku që marrёveshja të rrezikohet edhe më tej nën presionin e sanksioneve dhe pas vendimit të Iranit për të mos zbatuar më disa dispozita qendrore të marrëveshjes”.

Europa ende mbështet marrëveshjen

Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe thanë, se do të vazhdonjnё ta mbështesin marrëveshjen bërthamore, por zbatimi i saj “varet nga qendrimi i Iranit”. “Ne fuqimisht i bëjmë thirrje Iranit që të ndryshojë vendimet e tij të fundit në këtë drejtim,” theksohet në deklaratёn e tyre.
Bashkimi Evropian ka nisur njё skemё pune për të ndihmuar kompanitë që t‘u shmangen sanksioneve financiare amerikane në tregtinë me Iranin, por programi momentalisht është i kufizuar tek ushqimet dhe mjekësia. Teherani ka kërkuar që mekanizmi, i njohur si INSTEX, të zgjerohet për të përfshirë tregtinë e vet të naftës.
Presidenti iranian Hassan Rouhani tha të dielën, se Teherani ёshtё gati të zhvillojё isedime me SHBA nëse Uashingtoni heq sanksionet dhe i kthehet marrëveshjes bërthamore të vitit 2015.
“Ne kemi besuar gjithmonë në bisedime… nëse heqin sanksionet, i japin fund presionit ekonomik të vendosur dhe kthehen në marrëveshje, ne jemi të gatshëm të bisedojmё me SHBA sot, tani dhe kudo”, tha Rouhani në një fjalim televiziv.
Trump, megjithatë, tha javën e kaluar se sanksionet kundër Iranit së shpejti “në thelb” do tё shtohen.
Çfarë rrezikohet?
Armiqësia Iran-SHBA nuk është e  kufizuar vetёm në marrëveshjen bërthamore. Uashingtoni muajin e kaluar fajësoi Teheranin për sulme sabotimi në disa depozita nafte në Gjirin Persik. Përplasja dha shkas që SHBA të përgatiteshin pёr sulme ajrore ndaj Iranit, por që Trump i shmangu në minutën e fundit.

mm / jm (AFP, AP, dpa, Reuters)