Ballina Aktualitet 52 mijë shqiptarë morën leje qëndrimi në vendet e BE-së, të 14-tët...

52 mijë shqiptarë morën leje qëndrimi në vendet e BE-së, të 14-tët në botë

Rreth 52 mijë leje qëndrimi për herë të parë janë dhënë për Shqiptarët në vendet e Bashkimit Europian në vitin 2017. Eurostat ka publikuar sot të dhënat mbi lëvizjen e njerëzve në vendet anëtare, ku Shqipëria renditet e 14-ta në botë për sa i përket numrit të lartë të lejeve të qëndrimit të lëshuara.

Pjesa më e madhe e lejeve të qëndrimit për herë të parë janë dhënë nga Italia me 19,565, Greqia me 16,468.

Tashmë edhe Gjermania është një nga vendet kryesore për sa i përket lëshimit të lejeve të qëndrimit për Shqiptarët. Kështu gjatë 2017-s u dhanë mbi 6100 lejë për shqiptarët. Mbretëria e Bashkuar ndjek listën e 5 vendeve kryesore më 3273 leje dhe Franca me 1918 leje.

Numrin më të lartë të lejeve e ka Ukraina ku vetëm gjatë 2017-s janë dhënë 661 mijë leje qëndrimi. Ndërsa me numër të lartë janë edhe Kina, India dhe Amerika.

Në vitin 2017, janë dhënë 3.1 milionë leje qëndrimi në BE për qytetarët jo-BE. Pjesa më e madhe e lejeve të qëndrimit u është dhënë njerëzve nga Ukraina (21% e të gjitha lejeve të qëndrimit në BE), Siri (7%), Kinës (6%), Indisë dhe Shteteve të Bashkuara (5% secila).