Ballina ED/OP Gushavci ndër resursit më të rëndësishëm për zhvillim të Deçanit – Nga...

Gushavci ndër resursit më të rëndësishëm për zhvillim të Deçanit – Nga MSc. Adem Lushaj

(Kryetari Ramosaj, përkundër pengesave që janë nga Ligji për Zonën e Veçantë, të vazhdon edhe me projekte që do mundësonin shfrytëzimin e këtij resursi natyror, ashtu që Gushavci të jetë në shfrytëzim të përhershëm nga qytetarët).

Ndër faktorët e rëndësishëm për zhvillimin ekonomik janë edhe faktorët natyror, qofshin mbitokësor apo nëntokësor. Deçani është i pasur me burimet natyrore, sidomos me ato që gjenden në masivin e Bjeshkëve të Nemuna.

Burimi i ujit nëntokësor mineral që njihet si “Gushavci”, mund të konsiderohet ndër resursit me produktiv ekonomiko-turistik. Pos anës ekonomike që mund të ketë shfrytëzimi i mirë planifikuar i këtij resursi, uji i “Gushavcit” ka efekt shërues të sëmundjeve të ndryshme, sidomos reumatike dhe të lëkurës.

Edhe pse në distancë rreth një kilometër nga qendra e Deçanit, qytetarët e shumtë që kanë nevojën e shfrytëzimit të këtij uji (të ardhur edhe jashtë Kosovës), me vështirësi të mëdha arrijnë ta bëjnë një gjë të tillë. Pengesat e vendosura nga KFOR-i përgjatë rrugës së asfaltuar; rruga e ngushtë dhe e dëmtuar prej urës që kalohet mbi Lumëbardhin; mos rregullimi i hapësirave për qëndrim dhe pushim; sikurse mungesa e vendit për parkim të automjeteve; janë disa nga çështjet që po ndikojnë në pakënaqësinë e qytetarëve.

Që të marrësh rrugë për te ky burim i ujit mineral, duhet ti përballosh një numër të madh të pengesave rrugore të vendosura nga KFOR-i, që sipas tyre janë për siguri dhe respektim të Zonës së veçantë. Fare mirë dihet se objekti fetar dhe kulturor (Manastiri i Deçanit), është ruajtur dhe ruhet nga qytetarët, assesi nga pengesat e vendosura nëpër rrugë apo numri i madh i paqeruajtësve italian, austriak apo slloven. Këto pengesa mund të konsiderohen më shumë për iritim të qytetarëve, se sa për siguri të manastirit.

Që, qytetarët dhe makinat, mos të kalojnë nëpër ujin e Lumëbardhit, ishte përkujdesur KFOR-i, duke ngrit një urë të vogël mbi shtratin e lumit. Njëjtë kishte vepruar edhe me shtrim të rrugës me zhavorr, rrugë që dërgon për të Gushavci. Por, ndryshimet klimatike, qarkullim i makinave, pse jo edhe të atyre që në mënyrë ilegale prejnë pyjet, ka bërë që kjo rrugë të jetë edhe më e mërzitshme për kalimtarët. Më të vështirë e bën gjerësia e rrugës, ngase mezi gjejnë vend vozitësit e makinave për tu shndërruar, duke bërë që të shumtën e rasteve, qytetarët nevojtar të ecin këmbë deri në cakun e tyre.

Sapo të arrijnë te burimi i ujit shërues, te vendi për relaksim dhe shërim “Gushavci”, do përballesh me mungesë të hapësirave për parkim të automjeteve dhe qëndrimit të qytetarëve në uji. Numri i madh i atyre që kanë nevojë të shijojnë ujin shërues, zvogëlon hapësirat e shfrytëzimit, që shpesh ndodhë edhe të mos ketë mundësi të hyrjes në uji. Pos kësaj, mungesa e ulëseve dhe mungesa e mirëmbajtjes së këtyre hapësirave, veç sa i shton shqetësimet e qytetarëve.

Ndaj, hartimi dhe zbatimi i projekteve me karakter zhvillimor, sidomos të karakterit turistik, do bënte që Deçani të ketë përfitime të mëdha ekonomike. Punimet që po kryhen në rregullimin e shtratit të Lumëbardhit dhe shëtitores përskaj lumit, është shpresë që kryetari Ramosaj, (përkundër pengesave që janë nga Ligji për Zonën e Veçantë) të vazhdon edhe me projekte që do mundësonin shfrytëzimin e këtij resursi natyror, ashtu që “Gushavci” të jetë në shfrytëzim të përhershëm nga qytetarët.