Ballina Bota Turqi/ Turizmi i balonave në Kapadokya, 43 milionë euro në gjysmën e...

Turqi/ Turizmi i balonave në Kapadokya, 43 milionë euro në gjysmën e parë të vitit

Aktiviteti më i preferuar për turistët që vizitojnë rajonin e Kapadokya-s, udhëtimi me balonat me ajër të ngrohtë ka arritur rreth 43 milionë euro të ardhura në gjysmën e parë të vitit.

Turistët që vizitojnë Kapadokya-n, e cila me shkëmbinjtë e emëruar ‘Oxhaqet e Zanave’ (Peribacaları) dhe formësimet natyrore shkëmbore, vendbanimet nëntokësore, hotelet dhe manastiret historike të gdhendura në shkëmb që ndodhet në Listën Botërore të Trashëgimisë Kulturore të UNESCO-s që nga viti 1985, kanë mundësinë të shikojnë këto bukuri nga qielli duke marrë pjesë në udhëtimet me balonat me ajër të nxehtë.

Në udhëtimet e zhvilluara me balonat të cilat ngrihen në qiell nga rajoni Göreme çdo mëngjes me lindjen e diellit, në muajin janar këtë vit kanë marrë pjesë 11.210 turistë, në shkurt 27.135, në mars 30.972, në prill 41.171, në maj 53.365 dhe në qershor 68.256 turistë.

Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, me udhëtimet ku janë realizuar 11.814 fluturime, nga qielli kanë parë bukuritë e rajonit 232.109 njerëz, rreth 3 për qind më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, dhe me një rritje prej rreth 48 për qind krahasuar me vitin 2017.

Në udhëtimet e organizuara nga kompani të shumta në rajon, ku balonat qëndrojnë në ajër për një orë, kushtojnë mes 170 dhe 200 euro për person.

Shëtitjet me balona kanë një kontribut vjetor në ekonomi ku në vitin 2016 kjo shifër ka arritur në 33 milionë euro, në vitin 2017 arriti në rreth 43 milionë dhe në vitin 2018 rreth 70 milionë, ndërsa në 6 muajt e parë të këtij viti ka arritur në rreth 43 milionë euro.

Kryetari i Bashkisë Göreme, Ömer Eren, në një deklaratë tha se balonat me ajër që ngrihen në qiell në ditët me kushte të përshtatshme të motit ofrojnë shumëllojshmëri ngjyrash për peizazhin dhe sigurojnë edhe një llojshmëri për turizmin.

“Çdo vit presim shumë turistë në rajon. Turistët mrekullohen me bukuritë historike, kulturore dhe natyrore të Kapadokya-s. Ata janë të interesuar për udhëtimet që organizohen me balona për të parë këto bukuri nga qielli. Sektori i balonave tashmë identifikohet me Kapadokya-n”, tha Eren.

Ndërsa edhe İsmail Sucu nga agjencitë që ofrojnë shërbim për turistët thotë se është rritur interesi për udhëtimet me balona, ku ndonjëherë shumë turistë të huaj që preferojnë të marrin pjesë në këtë udhëtim detyrohen të kthehen pa e shijuar këtë bukuri për shkak të fluksit.

/ AA AGENCY