Ballina Bota OKB dhe Bashkimi Afrikan dënojnë sulmet ndaj qendrës së emigrantëve

OKB dhe Bashkimi Afrikan dënojnë sulmet ndaj qendrës së emigrantëve

Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Afrikan dënuan sulmet ajrore ndaj një qendre ku mbahen emigrantë të ndaluar, që për pasojë shkaktuan vdekjen e të paktën 40 vetëve. Qendra Tajoura ndodhet pranë kryeqytetit të Libisë, Tripolit dhe në momentin e sulmeve brenda saj ndodheshin 200 persona.

Zyrtarët libianë të shëndetësisë thanë se krahas të vrarëve gjatë sulmit të mbrëmshëm, u plagosën 80 persona të tjerë.

Sipas një zyrtari të ministrisë së Brendshme të Libisë numri i të vdekurve është shumë më i lartë.

Në periferi të Tripolit prej muajsh janë ashpërsuar luftimet për të marrë kontrollin e Tripolit mes qeverisë së njohur ndërkombëtarisht të Libisë dhe Ushtrisë Kombëtare Libiane të një qeverie rivale të udhëhequr nga gjenerali Khalifa Haftar.

Ushtria Kombëtare Libiane mohoi të ketë përgjegjësi për sulmin ajror të së martës, duke fajësuar atë që e quan milici pro-qeveritare.