Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani”, Suedi, nënshkroi të hënën në Prishtinë një marrëveshje bashkëpunimi me Institutin për Trashëgimi Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoni.
Marrëveshja u nënshkrua nga kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani”, z. Hysen Ibrahimi dhe nga drejtori i Institutit për Trashëgimi Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoninë e veriut, Dr. Skënder Asani.
Foto: Akti i nënshkrimit të marrëveshjes nga Skënder Asani dhe Hysen Ibrahimi
Hysen Ibrahimi e cilësoi si një ditë të veçantë për SHSHASHS, në vazhdimësinë e shumë marrëveshjeve tjera bashkëpunimit. “Ne duhet të zgjerojmë bashkëpunimin sa më shumë, sepse është shumë me interes të dëshmohen edhe të promovohen aktivitetet e veprimtarisë së shoqatës në mërgatë. Tërë arkivin tonë, që deri tani janë botuar afër 4000 dokumente, e kemi dorëzuar në mënyrë digjitale tek ITSHK, që do të lehtësojë në masë të madhe punën kërkimore”, tha Ibrahimi.
Drejtori i ITSHK Dr. Skënder Asani, tha se Instituti që ai drejton po dëshmon përforcimin e lidhjeve me mërgatën shqiptare. Ndërsa dorëzimin në formë elektronike të 10 numrave të librit “Thesar Kombëtar të Mërgatës Shqiptare në Suedi”, z. Asani e cilësoi si shembull se si duhet të funksionojë ky institucion. “Unë nuk mund ta quaj vetëm si shoqatë e shkrimtarëve, por do ta quaj institucion dhe këtë e ka dëshmuar me punën dhe veprimtarinë e vet. Dhe jo rastësisht Instituti ynë nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me këtë shoqatë dhe do të jetë e domosdoshme që këta libra të rrinë në bibliotekën e Institutit tonë, sepse në Institutin tonë gravitojnë studiues nga mbarë hapësirat shqiptare dhe nga diaspora. Pra ky libër do ta begatojë jashtëzakonisht shumë Bibliotekën e Institutit”, tha Asani.
Të dy përgjegjësit u zotuan se do të zgjerojnë bashkëpunimin edhe më shumë, të shkëmbejnë materiale në mënyrë që të promovohen sa më shumë kotributet e krijuesve dhe studiuesve, si vlerë e përbashkët kombëtare. Hysen Ibrahimi tha se shoqata që ai drejton është shumë e hapur të bashkëpunojë me të gjithë studiuesit që mund të jenë të interesuar të konsultojnë arkivin e kësaj shoqate në mënyrë që të çojnë më tutje kërkimet për tema të veçanta.
Në këtë ceremoni morën pjesë edhe anëtarë të SHSHASHS “Papa Klementi XI Albani”, prof. Fetah Bahtiri, Idriz Gashi, Ymrije Beqiri.
SHSHASHS ka nënshkruar një marrëveshje me Institutin Alanalogjik të Kosovës, me Agjencinë Shtetrore të Arkivave të Kosovës dhe shumë shpejt do të nënshkruaj një marrëveshje të ngjashme edhe me Drejtorinë e Arkivave në Shqipëri.
SHSHASHS këtë vit ka nxjerrë edhe numrin e 10-të të Thesarit Kombëtar të Mërgatës Shqiptare në Suedi, dhe do ta përurojë atë bashkë me 9 tituj të tjerë të botuar nga kjo shoqatë. Përurimet do të mbahen në Cercë të Istogut, në Boletin të Mitrovicës, në Shkup, në Krushë të Madhe dhe në Vlorë.