Ballina Bota Rriten çmimet e naftës pas tensioneve në Lindjen e Mesme

Rriten çmimet e naftës pas tensioneve në Lindjen e Mesme

Çmimet e naftës janë rritur të hënën, pasi Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ka thënë se Uashingtoni ka marrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar lëvizje të sigurt në Lindje të Mesme.

Ai i ka bërë këto komente një javë pas rritjes së tensioneve, si pasojë e sulmeve në disa anije transportuese të naftës.

Çmimet kanë shënuar rritje për 4.5 për qind edhe ditën e enjte, pas sulmeve në dy anije afër Iranit dhe Ngushticës së Hormuzit.

Kjo njëherësh ka qenë hera e dytë në një muaj që, kanë ndodhur sulme në zonën më të rëndësishme në botë, sa i përket furnizimeve me naftë.

Këto sulme kanë ndodhur në kohën e rritjes së tensioneve në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, pasi Uashingtoni e fajëson Teheranin për sulmet e së enjtes, derisa ky i fundit i mohon akuzat.

Përveç kësaj, këto dy shtete kanë mospajtime prej kur SHBA-ja është tërhequr një vit më parë nga marrëveshja bërthamore që Irani ka nënshkruar me fuqitë botërore.

Sipas marrëveshjes, Irani lirohet nga sanksionet në këmbim të frenimit të aktivitetit bërthamor, mirëpo presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se ky dokument ka shumë të meta, andaj ka larguar SHBA-në nga ky plan.