Ballina Aktualitet Hyn në fuqi marrëveshja e tregtisë së lirë mes Kosovës dhe Turqisë

Hyn në fuqi marrëveshja e tregtisë së lirë mes Kosovës dhe Turqisë

Marrëveshja e tregtisë së lirë midis Kosovës dhe Turqisë hyri në fuqi gjashtë vjet pas nënshkrimit të saj.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nënshkroi një dekret që ratifikon marrëveshjen, me kërkesë të ministrit të Jashtëm, Behxhet Pacolli, në prill të këtij viti.

Marrëveshja e tregtisë së lirë parashikon heqjen e tarifave doganore për një numër të madh të produkteve, kryesisht industriale, të cilat do të kenë një çmim më të ulët për konsumatorët.

Qëllimet e marrëveshjes, siç thuhet në të, janë rritja dhe përmirësimi i bashkëpunimit ekonomik midis Kosovës dhe Turqisë, përmirësimi dhe zgjerimi i tregtisë dypalëshe, heqja e pengesave dhe kufizimeve në tregtinë e mallrave dhe shërbimeve, si dhe krijimi i kushteve të barabarta për konkurrencë.

Marrëveshja u nënshkrua në vitin 2013 nga ish-ministrja e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës, Mimoza Kusari Lila, dhe ish-ministri turk i Ekonomisë, Zafer Gjaglajan.

Turqia është një nga importuesit kryesorë në Kosovë.