Ballina Aktualitet Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk: Jo të gjithë mbështesin hapjen e...

Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk: Jo të gjithë mbështesin hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, tha të mërkurën se mbështetë hapjen e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, por paralajmëroi se jo të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian pajtohen me këtë vlerësim.

Në një konferencë të përbashkët me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, presidenti Tusk, tha se të dyja shtetet kanë bërë “gjithçka që është pritur” për të vazhduar rrugën drejt anëtarësimit, mirëpo, nënvizoi ai, “jo të gjitha shtetet anëtare janë të përgatitura për të marrë vendimin për hapjen e negociatave në ditët në vijim”.

Ai shfaqi bindjen se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria në fund do të anëtarësohen, duke theksur se “çështja sot nuk është nëse, por kur?”

Muajin e kaluar, Komisioni Evropian propozoi hapjen e bisedimeve për të dyja këto vende dhe çështje pritet të diskutohet në një takim të ministrave të BE-së gjatë javës së ardhshme në Luksemburg.

Presidenti i Mqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, tha se vendi i tij “nuk është duke kërkuar një çmim të pamerituar, mirëpo vetëm mundësinë merituar për të ndërtuar një shtet evropian me shoqëri të drejtë dhe përparimtare”.

Maqedonia e Veriut shtoi shpresat për hapjen e negociatave pas marrëveshjes së vitit të kaluar me Greqinë për t’i dhënë fund konfliktit rreth emrit.

Një natë më parë, kryeministri shqiptar, Edi Rama, gjatë një takimi me presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, i bëri thirrje Bashkimit Evropian të hapë negociatat.

Zoti Juncker, tha se një gjë e tillë nuk është “mision i pamundur”, mirëpo sipas tij, kjo duket se nuk ka mundësi të ndodhë këtë muaj”.