Në qendër të Prishtinës në një shesh që mban emrin e ish-sekretares amerikane Medeleine Albright, të mërkurën u zbulua edhe busti i saj, në shenjë nderimi për rolin e zonjës Albright për çlirimin e Kosovës, 20 vjet më parë.
Zonja Albright u shpreh e nderuar me bustin e saj. “Faleminderit shumë për këtë nder kaq të madh. Ky vend do të thotë shumë për mua”, tha zonja Albright e cila vetëm disa orë me herët u dekorua me “Urdhrin e Lirisë”.
Busti i zonjë Albright, shtatorja e presidenti Clinton dhe një bulevard me emrin e tij, rruga që mban emrin presidentit Geroge Bush, janë disa nga shenjat që shfaqin mirënjohjen e qytetarëve të Kosovës për rolin e Shteteve të Bashkuara që në Kosovë cilësohet i pazëvendësueshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës por edhe të ardhmen e saj.
Para zbulimit të bustit, zonja Albright përkrah ish presidentit amerikan, Bill Clinton, ish komandantit të NATO-s, Wesley Clark të shoqëruar edhe nga udhëheqësit e Kosovës, parakaluan nëpër qendër të Prishtinë në atë që u quajt “ecje për lirinë”.
Ata vunë kurora lulesh tek pllaka përkujtimore kushtuar 213 ushtarëve të forcave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja që kanë humbur jetën gjatë shërbimit në Kosovë.