Nga 38 mijë banorë, rreth 12 mijë janë milionerë. Bëhet fjalë për Principatën e Monakos, një shtet i vogël që ndodhet përgjatë brigjeve franceze, në jug, i cili laget nga Deti Mesdhe. Monako njihet si një prej parajsave të super të pasurve, por raporti i vitit 2019 i Knight Frank Wealth Report i ka befasuar të gjithë: 32% e popullsisë së principatës është milionere.
Si është e mundur kjo që, në më pak se 1 milje katror, të jetojnë kaq shumë të pasur? Një rezident në tre zotëron të paktën 1 milion euro.
Fakti që të habit më shumë nuk është se pse ka kaq shumë të pasur, por se nuk ka të varfër. Karyn Adams, përfaqësues i Borgen Project (organizatë jofitimprurëse, qëllimi i së cilës është të luftojë varfërinë) pohoi se mungesa e varfërisë është pasojë edhe e investimeve që qeveria e Monakos ka bërë në vend, veprime që kanë gjithnjë për qëllim të rrisin ndjeshëm cilësinë e jetës.
“Edhe pse këto përmirësime bëhen shpesh në mënyrë që të tërheqin investime dhe të huaj të pasur, janë banorët ata që përfitojnë të parët, duke parandaluar ekzistencën e varfërisë në territorin e shtetit të vogël sovran” – thekson Adams.
Çdo gjë në Monako është menduar për super të pasurit – një apartament me një dhomë gjumi kushton më shumë se 1 milion euro, ndërkohë që shtëpitë më “normale” variojnë nga 2,2 në 22 milionë euro. Të mos flasim pastaj për vilat.
Me fjalë të tjera, Monako, është një vend jo për këdo, i menduar për super të pasurit, me një politikë që vijon në këtë drejtim. Një vend i çuditshëm, elitar, në zemër të Europës.
(Raporti i plotë: https://content.knightfrank.com/resources/knightfrank.com/wealthreport/2019/the-wealth-report-2019.pdf)