Ballina Aktualitet Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj të enjten në Berlin, takon kancelaren Angela...

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj të enjten në Berlin, takon kancelaren Angela Markel

Kryeministri kosovar para nisjes për në Berlin tha se “Gjermania vazhdon të jetë një ndër partnerët kryesorë të Kosovës dhe përkrahja e tyre është jetike në arritjen e objektivave të përbashkëta”.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, udhëtoi për në Berlin i ftuar nga kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel. Haradinaj gjatë vizitës njëditore në Berlin, përveç kancelares Merkel, takon edhe Presidentin e Bundestagut Wolfgang Schauble, deputetët e Komisionit Parlamentar për Evropën Juglindore të Bundestagut, Dr. Johann Wadephul, Christian Schmidt, Nikolas Löbel, Manuel Sarrazin dhe Hans Peter Bartels. Merr pjesë në konferencën “Takimet ndërkombëtare” dhe është pjesë e lutjeve të mëngjesit në Berlin, njoftoi vet Haradinaj. Duke e vlerësuar si një vizitë shumë të rëndësishme në Berlin dhe takimin që do ta ketë kokë me kokë me kancelaren Angela Merkel, Haradinaj tha, se “Gjermania ka pasur dhe ka një rol të jashtëzakonshëm në proceset jetike të shtetndërtimit të Kosovës. Sipas tij, Kosova është e interesuar dhe e përkushtuar për paqe dhe stabilitet në rajon dhe më gjerë, gjithmonë siç tha “duke respektuar vetveten dhe vlerat e përbashkëta euro-atlantike, duke ruajtur integritetin territorial dhe partneritetin me aleatët e përhershëm të saj”.

“Kjo vizitë pune do të ketë për qëllim thellimin e marrëdhënieve dhe besimit në mes të Kosovës dhe Gjermanisë si partnere strategjike. Bashkëpunimi i bazuar në besim është i domosdoshëm në rrugëtimin e Kosovës për zhvillim ekonomik, integrime evropiane dhe në fushën e sigurisë. Gjermania vazhdon të jetë një ndër partnerët kryesorë të Kosovës dhe përkrahja e tyre është jetike në arritjen e objektivave tona të përbashkëta”, shkroi në profilin e tij para nisjes për në Berlin kryeministri Ramush Haradinaj. Një kërkesë e veçantë nga Haradinaj për kancelaren Merkel, është konfirmimi final i Gjermanisë për liberalizimin e vizave për Kosovën, pasiqë Kosova tashmë i ka plotësuar kriteret për liberalizim dhe një konfirmim final i Gjermanisë sipas zyrtarëve të qeverisë së Kosovës është siguri e madhe për shumë vende dhe qeveri të BE-së që ti thonë Po liberalizimit të vizave për Kosovën.

Vizita në kryeqytetin e Gjermanisë e Haradinajt, ndodhë pas Samitit të Berlinit, ku kryeministrat dhe presidentët e vendeve të rajonit, ishin të ftuar nga kancelarja Merkel dhe presidenti francez Macron. Vazhdimësi e këtij Samiti është takimi në Paris me një korrik, ku kësaj radhe temë e vetme e këtij takimi është dialogu Kosovë-Serbi. Një delegacion gjermano francez ishte të hënën në Kosovë, ku takoi të gjithë udhëheqësit politik kosovar, për të marr qëndrimet e tyre para takimit të Parisit. Pala kosovare, presidenti Thaçi dhe kryeministri Haradinaj, ndonëse në takime të ndara thanë se dialogu me Serbinë duhet të vazhdojë pa kushtëzime dhe taksa e vendosur ndaj mallrave të Serbisë do të mbetet në fuqi. Serbia nga ana e saj, nuk pranon që të rikthehet në dialog, pa e hequr Prishtina taksën ndaj prodhimeve të Serbisë. Presidenti serb Aleksandër Vuçiq, ka paralajmëruar masa ndaj Kosovës pas takimit të Parisit dhe sipas tij, nëse Prishtina nuk e heq taksën deri me një korrik, masat kundër Kosovës do të jenë të rrepta, por pa u dëmtuar siç thotë serbët e Kosovës.

Kosova dhe Serbia ka disa muaj që kanë ndërprerë dialogun pas vendosjes së tarifës 100% nga qeveria e Kosovës për produktet e Serbisë. Kjo masë sipas udhëheqësve politik kosovar është vendosur për shkak të siç thonë “agresionit politik dhe diplomatik të Serbisë ndaj Kosovës.