Ballina Sport Tri skuadra të lumtura, ja si përfitojnë nga triumfi i Chelsea

Tri skuadra të lumtura, ja si përfitojnë nga triumfi i Chelsea

Fituesi i Ligës së Europës në Baku kishte një “çmim” shtesë, përveç trofeut: vend i drejtpërdrejtë në Ligën e Kampionëve, edicionin e ardhshëm. Për Arsenalin e Unai Emery, fitorja e munguar do të kishte qenë edhe më e rëndësishme, pasi do të siguronte pjesëmarrjen në kompeticionin më të rëndësishëm për klubet në Europë, gjëje që s’ia arriti dot përmes renditjes në “top 4” të Premier League.

Finalen e mbrëmshme e fitoi Chelsea, që e kishte siguruar garën maksimale kontinentale edhe si i treti në Premier League. “Topçinjtë” e përfunduan kampionatin në Angli të pestët dhe vetëm triumfi në finalen e Bakut do t’iu mundësonte atyre një vend në Champions (2019-2020). E kundërta ndodhi, ndaj të besuarit e Unai Emery do të luajnë në “Europa League”, sezonin e ardhshëm.

Po kush përfiton nga verdikti i së mërkurës mbrëma, në kryeqytetin azerbajxhanas? Këtë fat të madh e ka Olympique Lyon, i cili u rendit i treti në Ligue 1 (Francë). Me këtë pozicionim në kampionatin përkatës, skuadra e njohur franceze do t’i bashkohej Champions-it në raundin e tretë kualifikues. Tashmë, me fitoren e Chelsea, Lyon shkon direkt në fazën e grupeve. Dy ekipet e tjera, që përfitojnë nga blutë e Londrës janë: Basaksehir (i dyti, në Turqi) dhe LASK Linz (i dyti në Austri).

Të dyja ekipet do të nisin të luajnë në Ligën e Kampionëve një raund më tej kualifikues. Pra, ato do të bashkohen me këtë garë në raundin e tretë e jo të dytë. Fitorja, gjithashtu, i dha Chelsea një bonus shtesë. Në shortin e fazës në grupe të këtij kompeticioni, sezonin e ardhshëm, londinezët do të spostohen nga vazo 2 në vazon 1, si kampionë të “Europa League”.