Ballina Bota Kryeministrja britanike Theresa May do të japë dorëheqjen më 7 qershor

Kryeministrja britanike Theresa May do të japë dorëheqjen më 7 qershor

Kryeministrja britanike, Theresa May ka thënë se do të japë dorëheqjen më 7 qershor, duke hapur rrugën për një kryeministër të ri të Britanisë së Madhe.

Në një deklaratë emocionale May tha se ajo kishte “bërë më të mirën” për të respektuar rezultatin e referendumit për daljen e Britanisë nga BE-ja.

Ajo shprehu “keqardhje të thellë” se nuk kishte qenë në gjendje të përfundonte procesin e Brexit-it.

Megjithatë ajo tha se një kryeministër i ri është “në interesin më të mirë të vendit”.

May ka qenë nën presion për të dhënë dorëheqje pasi disa deputetë të partisë së saj dolën kundër planit të ri të Brexit-it, të cilin May tha se do ta dërgojë për votim në parlament.

Që nga janari i këtij viti, parlamenti britanik ka hedhur poshtë tri herë marrëveshjen e largimit të Britanisë nga BE-ja.

Britania është dashur të dalë nga Bashkimi Evropian më 29 mars por kryeministrja, Theresa May, nuk arriti të bindë ligjvënësit britanikë për të votuar marrëveshjen e arritur me udhëheqësit e BE-së.

Megjithatë ajo arriti të marrë pajtimin e BE-së për shtyrjen e afatit të Brexit-it deri më 31 tetor, datë kjo kur Britania duhet të dalë nga BE-ja me ose pa marrëveshje.