Zyrtarisht Shqipëria shkon në zgjedhje më 30 qershor 2019. Zyrtarisht Shqipëria ka pasur referendum më 23 dhjetor 2013. Të dyja datat janë dekretuar nga Presidenti. Ende nuk e dimë nëse dekreti i 30 qershorit do respektohet, por të gjithë e dimë se me 23 dhjetor 2013 nuk pati as votim, as protestë, as reagim dhe as ndjesë publike, – një tregues se sjellja formale nuk ka pasur vlerë dhe me siguri nuk merr vlerë as në rastin aktual. Loja e deklaratave aktuale i ngjason ballos me maska, ku secili aktor fsheh fytyrën, por të gjithë e njohin njëri tjetrin. Janë të njëjtë në krizë, në sjellje, në mungesë vizioni dhe përgjegjshmërie, në mungesë sensi dhe integriteti, – të fuqishëm të krijojnë kriza në gotë uji dhe të pafuqishëm të gjejnë një zgjidhje nga 1000 zgjidhjet e mundshme në dispozicion.
Në këto rrethana ia vlen të shihen të paktën 10 fakte nga kriza e fundit, disa prej të cilave nuk fliten në publik por janë dominuese në korridoret e politikës, dhe ndonjë prej të cilave mund të shërbejë për të shikuar pas krizës, në zgjidhjen afatshkurtër dhe parandalimin e tyre në të ardhmen.
1. Zgjedhjet kanë vlerë kur janë konkurruese, demokratike, pluraliste dhe të drejta. Dekreti i datës 30 qershor 2019 rrezikon të zëvendësojnë “zgjedhjet” me “votime”, – praktikë që shqiptarët e kanë njohur në gjysmën e shekullit të kaluar dhe në ndonjë rast edhe në tranzicion. Në më shumë se 50% të zonave ku votohet do të ketë vetëm një kandidat zyrtar, në pjesën tjetër dy ose më shumë kandidatë por vetëm një kandidat potencial për të fituar. Si të tilla nuk do të ketë nevojë as për fushatë, as për programe, as për debate, as për mitingje, as për pankarta, as për sondazhe, as për exit poll dhe as për trafik votash. Fituesit dihen, humbës nuk ka.
2. Kushtetuta dhe ligji shqiptar nuk kanë prag ligjor pjesëmarrjeje në zgjedhje. Mjaftojnë të marrin pjesë vetëm anëtarët e një partie dhe zgjedhjet bëhen legjitime. Qeveria nuk ka nevojë për pjesëmarrje masive dhe opozita gjithashtu nuk ka nevojë për fushatë kundër. PS mobilizon pushtetin dhe aq i mjaftojnë, PD dhe opozita konsiderojnë mbështetës ata që nuk marrin pjesë, që mund të jenë mbështetës të saj ose kritikë ndaj të gjitha partive.
3. Zgjedhjet shqiptare marrin periodikisht 5-7 milionë euro, një kosto e lartë që vlen kur zgjedhjet ofrojnë zgjidhje dhe përmbushin pritshmëritë demokratike. Kur zgjedhjet e humbasin vlerën dhe efektin e tyre, përse duhet që taksapaguesit shqiptarë të paguajnë parti që refuzojnë konkurrencën ose që refuzojnë të drejtën e votës? Përse ne vijojmë të jemi ndër shtetet e vetme në Europë që i kemi dhënë partive politike selitë më të mëdha, qendrat e qyteteve, pushtet absolut dhe financim pa kontroll e transparencë nga taksat tona? Kriza aktuale është “ra ky mort e pamë”, – një rast për të kuptuar, reflektuar e ndryshuar shumëçka, sidomos raportin tonë si shoqëri me demokracinë funksionale dhe përfaqësuese.
4. Mazhoranca ka interes të shkohet më 30 qershor në votime jo për shkak të nevojës së saj për të fituar 100% të bashkive dhe këshillave bashkiakë, qarqeve dhe këshillave të qarqeve, – por nga nevoja e saj për të fituar nga agresiviteti i opozitës, nga incidentet e mundshme dhe nga klima kritike ndërkombëtare ndaj saj. Pra, PS e kërkon 30 qershorin jo për “bashkinë që duam” dhe as “ne bëjmë shtet”, por për të përfituar nga gabimet e opozitës dhe për ta akuzuar më pas atë si partia/partitë e para që prish zgjedhjet/ditën e votimit. Pasi të ndodh kjo, shoqëruar edhe me deklarata ndërkombëtare kritike, PS nuk e ka problem që në vjeshtë të nisë bisedimet për zgjedhje të reja parlamentare në mars 2020.
5. Opozita ka interes të vijojë konfliktin politik për të maksimalizuar mbështetësit e saj dhe aksionin e tyre politik. Ajo e shikon 30 qershorin si datën e vetme në historinë e Europës dhe demokracisë moderne, kur një parti konkurron e vetme, administron e vetme, fiton e vetme. Opozita llogarit se kostoja negative në histori për PS do të jetë shumë më e lartë sesa përfitimi dhe se pa opozitë, procesi do të ketë shkelje të panumërta teknike, ligjore dhe administrative. Të gjitha bashkë do ti japin kryetarit të PS imazhin e njeriut të vetëm në kontinent që bën zgjedhje pa rivalë, madje edhe pa rivalë formalë, – një praktikë që shqiptarëve u kujton të kaluarën e Frontit Demokratik.
6. Mazhoranca llogarit se duke fituar 61 bashkitë (ose me ndonjë lëshim për ndonjë bashki për parti aleate informale) të fitojë disa zona që nuk i ka fituar kurrë, – ku në krye është Shkodra dhe vijohet deri në Kamëz. Pasi ti fitojë të gjitha ajo llogarit të ulet në bisedime, – duke i marrë opozitës bastionet dhe me to, edhe burimet njerëzore e financiare mbështetëse, si dhe duke kalkuluar se në zgjedhje të parakohshme me ose pa Ramën kryeministër baza elektorale e saj bëhet më e fortë dhe më e shtrirë gjeografikisht e politikisht.
7. Opozita llogarit se kalimi 100% i pushteteve politike në një dorë do të kthehet në bumerang politik, siç ka ndodhur më 1991, 1996, 2001, 2013, etj. Për të beteja kryesore është ajo parlamentare dhe në funksion të saj, ajo llogarit se zgjedhjet lokale mund ti provokojë në çdo kohë sidomos në bashki ku mbështetësit e saj janë më të shumtë në numër sesa mbështetësit e qeverisë dhe ku pjesëmarrja në zgjedhjet lokale do të jetë nën 30%.
8. Faktori ndërkombëtar i ka qëndruar tundimit për tu përfshirë në krizën politike. argumenti i tyre kryesor është ende dominues: nuk duam të përfshihemi për sa kohë ndërmjetësimi ndërkombëtar mund të përdoret si alibi dhe mjet nga liderit politikë shqiptarë për të bërë një marrëveshje të re të personalizuar, në të cilën ndërkombëtarët nuk kanë as zë dhe as rol. Ata nuk duan të përdoren dhe kujtimet e vitit 2017 i kanë ende të freskëta.
Mekanizmi i presionit nga jashtë, përmes apeleve politike, letrave të EPP&PES apo deri tek lista e supozuar e zezë, – është ende km larg thelbit të problemit dhe nuk kanë dhënë dhe as nuk jep efekt për sa kohë edhe ndërkombëtarët, përfshirë SHBA e BE zgjidhjen e krizës shqiptare e kërkojnë tek autorët përgjegjës të saj, 2-3 liderit kryesorë politikë. Lajmi se ndonjë politikan dytësor, të cilin me siguri askush nuk e merr seriozisht në ato që thotë e që bën, është ndëshkuar me anulimin e vizës për SHBA, është po aq jo efektiv sa lajmi se pro perëndimorë tashmë cilësohen deputetët që janë në parlament, përfshirë disa anonimë pa identitet apo të parin politikan shqiptar që është shpallur zyrtarisht e publikisht non grada nga pala amerikane.
9. Shqipëria dhe BE? Reforma në drejtësi? SPAK? Ka pasur dhe ka 100 arsye për të kuptuar se elitat tona politike kanë qenë, janë e do jenë të pa-interesuar realisht as për procesin integrues (që sjell monitorim shumëplanësh për vetë ata), as për reformën në drejtësi (që minimizon kontrollin politik të tyre) dhe as për SPAK (që duhet të merret me vetë elitat e korruptuara). Nga kriza ndëshkohen qytetarët, shteti e shoqëria, – jo politikanët. Ata amnistojnë konsensualisht njëri tjetrin, riciklojnë njeri tjetrin, asistojnë njeri tjetrin dhe pasurojnë njëri tjetrin. Cili u largua nga politika për shkak të kostove të krizave 1991, 1997, 1998, 2004, 2008, 2010, 2011, 2014, 2017? Asnjë. Ky bilanc flet shumë dhe peshon shumë, edhe aktuale, e cila nuk është as e para dhe as e fundit në listën e krizave që ata kanë shkaktuar ose vijojnë të shkaktojnë.
10. Zgjidhja? Ka të paktën dy opsione afatshkurtra dhe afatgjata. Opsioni afatshkurtër është rikthimi i SHBA dhe Brukselit në Tiranë sipas praktikës së marrëveshjes politike në Maqedoni më 2015, me një draft të iniciuar nga jashtë dhe me një penalizim real të politikanëve përgjegjës djathtas e majtas. Kjo mund të shoqërohet me presionin pozitiv për ngritjen e SPAK brenda qershorit, jashtë konsensusit të hapur apo të fshehur të dy partive të mëdha, dhe rihapjen e të gjitha dosjeve penale që ndodhen në Prokurori kundër aktorëve kryesorë politikë, përgjegjës për krizat periodike politike dhe pengmarrjen e demokracisë në Shqipëri, ashtu edhe për aktorët protagonistë të dosjeve të trafikut të votës qofshin ata ministra e ish ministra, deputetë e ish deputetë, kryetarë bashkie e ish kryetarë bashkie.
Në aspektin afatgjatë, faktori ndërkombëtar, i cili harxhon miliona euro të taksapaguesve të vet për të promovuar projekte dhe nisma që shpesh shërbejnë si fasada të pushteteve të radhës në Shqipëri, – duhet të investohet konkretisht dhe realisht në reformimin tërësor të legjislacionit mbi partitë politike, mbi financimet elektorale, mbi Kodin Zgjedhor dhe mbi raportet e partive me shtetin në Shqipëri. Shqipëria sot ka mbi 140 vula kryetarësh, ka dhjetëra seli partish, por nuk ka ende asnjë parti politike realisht demokratike, ku votohet, mendohet, debatohet, diskutohet, respektohet mendimi ndryshe dhe ku arsyeja politike është më e madhe sesa interesi i drejtuesit. Nëse faktorët ndërkombëtarë direkt apo indirekt mbështesin nisma serioze që reformojnë e ndryshojnë sistemin, jo emrin e atij që kontrollon sistemin, – atëherë zgjidhja bëhet më e shpejtë, dhe minimalisht parandalohen kriza të njëjta në të ardhmen.
Një reformim tërësor i sistemit përfaqësues do të krijonte mundësitë që komunitetet qytetare të kishin kandidatët e vet në zgjedhjet lokale, që sistemi partiak të kishte prurje të reja, që të marrë fund sistemi i kontrollit një ose dy partiak i administrimit zgjedhor, që Shqipëria të mos kishte liderë të fortë por institucione të forta, që partitë të japin llogari për miliardat e fushatës ashtu siç japin qytetarët për qindarkat e shpenzimeve të tyre, që pakënaqësitë qytetare të ktheheshin në nisma ligjore dhe vullnet për ndryshim, që politikanët të jepnin llogari çdo 2-4 vjet dhe që partitë të kthehen në institucione përfaqësuese dhe demokratike siç përcaktohet dhe kërkohet nga Kushtetuta e Shqipërisë.