Ballina ED/OP Shqipëri mos ki frikë, ke studentët diell e dritë – Nga Prof....

Shqipëri mos ki frikë, ke studentët diell e dritë – Nga Prof. Dr. Lush SUSAJ

Komitat politike aktuale të Tiranës, në asnjë ditë të ekzistencës dhe të qeverisjes së tyre nuk u distancuan realisht nga mëndësia dhe modeli enverist i administrimit dhe të bërit politikë. Në këtë mënyrë, në këto vite e dekada, nuk pamë asnjë ditë të mirë për shtetin dhe shoqërinë shqiptare. Nuk patëm asnjë mundësi që të shohim as edhe një ditë qeverisje gjithpërfshirëse, as meritokratike, as transparente, as ligjore dhe as qeverisje europianizuese. Përkundrazi, në mënyrë konspirative është zbatuar pikë për pikë platforma kativicjane, një platformë orientale, antishqiptare dhe antieuropiane. Falë “ustallarëve” të dalë nga vrimat e errëta të enverizmit e që me mashtrime e hipokrizi arritën që të defaktorizojnë e të manipulojnë gjithë atë paknaqësinë popullore dhe lëvizjen demokratike, europianizuese dhe antikomuniste të vitit 1990. Në këtë mënyrë, në vend të pluripartitizmit politik u krijuan dhe u konsoliduan komitat politike që për interesat e tyre të ngushta shkatërruan resurset natyrore, njerëzore, deri dhe shpresën dhe mundësinë për të jetuar këtu me punë të ndershme. Sundimi despotik, shkombëtarizues, poshtërues e varfërues i këtyre viteve ka sjellë një situatë të re e të pa njohur më parë në Shqipëri dhe as të rajonit të Ballkanit dhe Mesdheut. Për vetë specifikat demografike, etnokulturore e historike që ka Shqipëria dhe populli i saj, duken qartë përmasat e varfërisë, antiligjit, antishtetit, nënshtrimit dhe humbjes së shpresës përballë komitave mafioze dhe interesave të tyre ekonomike e politike. Që të gjithë e shohin dhe e kuptojnë situatën në të cilën ndodhet sot Shqipëria e që ngjan me një zonjë të vjedhur e të rreckosur, të dhunuar deri në ekstrem, e të hedhur buzë një rruge, e që në trupin e saj të mavijosur, të gjymtuar e të gjakosur rrah vetëm një puls, ai i studentëve hyjnorë të Shqipërisë që protestojnë për t’ja shlyer borxhin Shqipërisë.

Janë studentët që kanë nxjerrë mësimin e duhur nga gabimet e prindërve të tyre të vitit 1990, e që ndryshe nga ata nuk u mashtruan por po ngrihen të vendosur kundër demagogjisë sofiste, kundër mashtrimit, kundër përsëritjes së sjelljeve të gabuara që do të riciklonin përsëri përsonazhet e vjetra apo të reja të krimit dhe korrupsionit ekonomik e politik në Shqipëri. Studentët janë të vetëdijshëm për misionin e  tyre hyjnorë dhe do t’ja dalin që ta shpëtojnë Shqipërinë e tyre nga kacafytja e komitave dhe klaneve të mafies së re e të vjetër politike dhe ekonomike. Studentët do të triumfojnë mbi platformat antishqiptare të sherrit të komitave politike të Tiranës, sherrit që bëhet për pushtet sulltanor dhe vazhdimësi të mëndësisë dhe modeleve enveriste.

Studentët, pavarësisht nga mbyllja e protestës 40 ditore në muajn Janar 2019, nuk janë mashtruar dhe nuk kanë hequr dorë kurrë nga endrra e tyre për një Shqipëri europiane e demokratike. Studentët nuk kanë patur kurrë besim në demagogjinë dhe as në ato thërrimet që u lëshuan në të ashtuquajturin “Pakt për Universitetin” e që nuk zgjidhi asgjë. Filozofi Rene Dekard na mëson që dija është liri, dija është lumturi, dija është pushteti i të gjitha pushteteve dhe se dija është energjia e zhvillimit. Për këtë arsye, të gjithë pushtuesit dhe qeverisjet e tyre despotike, gjithnjë kanë synuar dhe goditur arsimin, shkollën, universitetin, kërkimin shkencor dhe Akademinë. Këtë nuk e kanë bërë thjeshtë për të pushtuar apo grabitur tulla, mure, dritare, dyer, troje apo tjegulla. Përkundrazi e kanë bërë dhe do ta bëjnë përsëri, sa herë që t’u jepet mundësia për të vrarë dijen nga ku buron liria dhe lumturia shoqërore, uniteti dhe reagimi shoqëror, prosperiteti dhe energjia zhvillimore, bashkëqeverisja dhe vetëdija jonë kombëtare, meritokracia dhe mirëqeverisja e vendit. Studentët e Shqipërisë janë pjesa më elitare e shoqërisë, janë shpirti i pa gjymtuar e i padeformuar nga komunizmi dhe as nga komitat politike që kanë për zanafillë ndarjen mitotike të zigotës enveriste, nga ku rezulton ajo që është parë në këto 30 vite, asgjë më shumë se një proces i njohur biologjik nga ku qeliza mëmë është ndarë në qelizat bija identike. Studentët e lëvizjes së dhjetor-janarit, pranuan tërheqjen por nuk e pranuan që të përlyenin idealin dhe as lëvizjen e tyre hyjnore me personazhet katovicjane dhe as me komitat politike të sunduara prej tyre. Për më tepër, pavarësisht nga propaganda dhe demagogjia e qeverisjes së radhës, studentët nuk pranuan që të bëhen bashkautor të një realiteti falls, nuk u bën koperturë për arritjet dhe reformat imagjinare që nuk i pa dhe nuk i preku askush. Studentët e mbajtën të pastër endrrën, idealin dhe lëvizjen e tyre për një Shqipëri europiane e demokratike, për shkollën dhe universitetin të çliruar nga kthetrat e politikës dhe në shërbim të dijes dhe të çështjes kombëtare.

Studentët e ndërprenë protestën e tyre duke mos bërë asnjë kompromis me mëkatet, vjedhjet, shpërdorimet dhe krimet e pandëshkuara të uzurpatorëve të njohur të administratës dhe politikës. Studentët e ndërprenë përkohësisht protestën e tyre për të mos humbur vitin shkollor e për t`u rikthyer edhe më fuqishëm në kauzën dhe kërkesat e tyre të drejta. Studentët kanë qenë dhe janë prushi dhe flaka e zjarrit të lirisë së Shqipërisë, si asnjë kategori tjetër shoqërore, kanë ndjeshmërinë dhe fuqinë e të menduarit dhe të vepruarit racional e transformues. Studentët tanë hyjnorë janë të bindur në të drejtën dhe detyrën e tyre të shenjtë. Në këtë këndvështrim, duhet të kuptojmë që shkalla e bindjes së secilit ndaj detyrës për shpëtimin dhe zhvillimin social, ekonomik e shoqëror të Shqipërisë, është treguesi më i mirë për nivelin e lirisë dhe për shkallën e zhvillimit liberal dhe demokratik të vendit. Studentët nuk u nënshtruan dhe nuk do të mund të nënshtrohen as nga mobilizimit partiak i një numri të caktuar të pedagogëve dhe të disa drejtuesve të fakulteteve dhe universiteteve që bëjnë pjesë tek ata njerëzit e njohur si të përkdhelurit, të sponsorizuarit dhe të zgjedhurit nga partia apo komitat e njohura politike e jo për ndonjë meritë të tyre të veçantë. Është fjala për njerëz dhe grupime të njohura klanore degraduese që në këto tri dekada, në vend që t`i shërbenin detyrës dhe reformave të zhvillimit të arsimit, i kanë shërbyer dhe akoma vazhdojnë që t’i shërbejnë klaneve dhe komitave abuziviste të cilat kanë vjedhur e shkatërruar çdo investim dhe projekt të adresuar për godina, laboratore dhe mjete mësimore.

Tashmë studentët janë edhe më të informuar dhe të vetëdishëm për rrugën dhe endrrën e tyre të lirisë. Tashmë studentët i njohin edhe më mirë dhunuesit dhe përçarësit e protestës së tyre dhe janë të vetëdijshëm për faktin se ata janë në ato karrige dhe se universitetet janë në këtë situatë të rëndë për shkak të sjelljes dhe të karakterit të tyre të dobët e të shantazhueshëm, ndryshe nuk kishin pse të vendosnin partinë apo interesat e komitave politike mbi shkollën dhe universitetin. Është fjala për klanet nepotike të këtyre dekadave, klane që qëndruan pa u tundur duke u ricikluar në pozicionet e tyre abuziviste e që kanë vrarë e po vrasin misionin e universitetit, dijen dhe cilësinë e përgatitjes së studentëve dhe elitave shoqërore Kjo kastë apo shtresë e trashë e plehut enverist ka goditur, paralizuar dhe defaktorizuar çdo reagim dhe përpjekje reale të studentëve për reformimin e shkollës, shoqërisë dhe politikës shqiptare. Shtresa e trashë e plehut enverist nuk u pasturua kurrë për shkak të mungesës së dekomunistizimit real të shoqërisë dhe administratës postkomuniste, nga ku u rithemelua dhe u trash edhe më shumë sistemi nepotik i sundimit që po ua merr frymën studentëve, nxenësve, pedagogëve, mësuesve, akademikëve dhe gjithë shqiptarëve që po vuajnë nga një varfëri e shkaktuar nga hajdutëria, grykësia, injoranca dhe sherrnaja e komitave politike të Tiranës.

Studentët e Shqipërisë nuk mund të mashtrohen as me premtime boshe dhe as me arnime e ndryshime të emrave të veçantë të institucioneve të administratës. Studentët nuk mund të pajtohen kurrë me varfërinë dhe as me imazhin e nxirë të vendit të tyre. Kërkesat e tyre nuk mund të vulgarizohen e tallen si kërkesa për batanije e për tarifa, kërkesa themelore e studentëve është Shqipëria si e gjithë Europa, një Shqipëri e lirë, liberale dhe demokratike që qeveriset me moral të pastër e me ligje europiane. Gabohen rëndë të gjithë ata që menduan apo që mendojnë që studentët janë ngritur për të zgjedhur një administrator, e që tani që administrator është zgjedhur me një votim ku kanë marrë pjesë vetëm 2-5% e studentëve (kujtoj që në një fakultet nga 2430 studentë, kanë marrë pjesë në votime vetëm 68 studentë apo 2,78%), na qenka plotësuar edhe një pikë e paktit. Gabohen ata që mendojnë se studentët kanë patur ndonjëherë problemin e një senatori. Që të gjitha janë demagogji, janë mënyra për të gjetur alibi sa për të thënë se ja se si po i plotësojmë kerkesat e studentëve.

Qeveritë e Shqipërisë kurrë nuk kanë dëgjuar as hapur një debat të sinqertë e gjithpërfshirës mbi arsimin dhe universitetin. Përkundrazi i kanë konsideruar dhe përdorur shkollat dhe universitetet si oaze për të shpërdoruar mjete të mëdha financiare dhe si “kështjella” për të strehuar abuzuesit me pushtetin apo limonat e shtrydhur të politikës. E gjithë kjo batërdi është bërë në kurriz të elitës së mirfilltë të vendit, në kurriz të studentëve me të mirë që cilët nuk u vlerësuan kurrë. Është bërë dhe po bëhët në kurriz të mësuesve dhe pedagogëve të panjollosur e të pakapur nga komitat politike e që ndonëse mbajnë gjithë peshën e punës nuk u pyetën as edhe një herë të vetme për mënyrën se si mund të çlirohet universiteti nga korrupsioni, nga nepotizmi, nga riciklimi i ish komunistëve, nga karriera drejtuese e ish spiunave të diktaturës komuniste, nga punësimi i oligarkëve të politikës abuziviste dhe fëmive të tyre, apo dhe nga vjedhja e investimeve, projekteve, etj.

Duhet të kuptojmë faktin që studentët nuk do ta reshtin kurrë betejën e tyre për endrrën e tyre të përjetshme tek e cila jeton e do të jetojë Shqipëria. Studentët do ta realizojnë endrrën e tyre të lirisë dhe demokracisë së Shqipërisë, do ta bëjnë Shqipërinë të banueshme e të begatë për çdo shqiptar e vizitor. Është koha që shqiptarët, pa dallime politike e krahinore të qëndrojnë fort e të bashkuar në krah të studentëve.

Shqipëri mos ki frikë, ke studentët diell e dritë.