Ballina Kulinari Receta e ditës/ Japrakë me mish të grirë

Receta e ditës/ Japrakë me mish të grirë

Përbërësit:

70-80 gjethe rrushi

8 gota ujë

gjysmë limoni i shtrydhur

1 lugë çaji  kripë

 

Për mbushjen:

500 gr mish viçi i grirë

1 filxhan çaji me oriz

2 qepë mesatare

5 lugë gjelle vaj ulliri

1 tufë kopër e grirë

disa gjethe nenexhik

2 limona të shtrydhur

2 gota ujë

piper i zi

Përgatitja:

Mbushni një tenxhere me 8 gota ujë. Shtoni në të lëngun e gjysmës së limonit dhe pak kripë. Merrni me kujdes gjethet e rrushit të cilat duhet të jenë të vendosura sipër njëra tjetrës dhe pa i ndarë futini në ujin e nxehtë për 3 minuta. Kur të shikoni që janë zbutur hiqini gjethet nga uji dhe vendosini në një enë të mbushur më ujë të ftohtë. Pasi të jenë ftohur kullojini dhe thajini me kujdes dhe nëse disa prej gjetheve janë dëmtuar lërini veç për t’i përdorur më vonë në recetë.

Për mbushjen:

Për të përgatitur mbushjen filloni duke e futur orizin për 10 minuta në ujë të ngrohtë. Kur të shikoni që është zbutur kullojeni dhe lëreni mënjanë.

Në një tigan shtoni qepët e grira hollë bashkë me një lugë vaj ulliri dhe lërini të skuqen derisa të zbuten pak, pa i lënë që të marrin ngjyrë. Ndërkohë në një enë të thellë shtoni orizin, qepën, mishin e grirë, vajin e mbetur të ullirit. Grini koprën, gjethet e mentes, po ashtu të grira, dhe lëngun e një limoni sipas dëshirës mund të shtoni edhe gjysmë luge piper të zi. Përziejini mirë me duar dhe bëni gati gjethet për t’i mbushur duke i ndarë me kujdes nga njëra tjetra.

Merrni një gjethe dhe vendoseni në një pjatë të drejtë në të shtoni 1-2 lugë çaji nga mbushja që përgatitët më parë. Kujdesuni që mbushjen ta vendosni në qënder të gjethes në mënyrë që t’a mbështillni atë më kollaj. Rrotulloni me kujdes fundin e gjethes deri në gjysëm të mbushjes me oriz duke kthyer njëkohësit edhe anët e saj. Do të formohet një zarf i hapur të cilin duhet ta rrotulloni deri në fund duke e ngjeshur pak me duar në mënyrë që të qëndrojë i mbyllur. Bëni kujdes të mos i mbushni më shumë se sa duhet gjethet e rrushit dhe të mos i shtrëngoni shumë ato. Për të evituar çarjen e gjethes gjatë gatimit dhe fryrjes së orizit.

Për zierjen:

Zgjidhni një tenxhere rreth 20-30 cm dhe vendosini sipër njëra pas tjetrës japrakët në dy ose tre shtresa. Roletë e japrakëve vendosini afër njëra tjetrës me mbylljen e gjethes të kthyer për nga poshtë në mënyrë që të mos hapen gjatë gatimit. Nëse ju kanë mbetur gjethe të demtuara nga zierja mund t’i shtroni ato në fund ose në fillim të tenxheres. Hidhni 2 gota ujë në temperaturë ambienti  brenda tenxheres dhe më pas merrni një pjatë pak a shumë sa madhësia e saj. Vendoseni atë sipër japrakëve tuaj duke ushtruar pak presion për disa sekonda dhe vendoseni të ziejë në zjarr mesatar.

Shtoni më pas tek to edhe lëngun e 1 limoni duke ulur nxehtësinë në minimum. Lërini të mbuluara me kapak apo me një pjatë të ziejnë për rreth 40-60 minuta, derisa i gjithë uji të avullojë. Për të kontrolluar nëse janë bërë shikoni nëse është gatuar sa duhet orizi në njërin prej japrakëve.

Sipas dëshirës ju mund të përdorni edhe tenxhere me presion për këtë gatim duke i shtuar sërisht 2 gota ujë. Kjo proçedurë gatimi do të jetë pak më e shpejtë rreth 15 deri në 20 minuta. Nëse ju mbetet oriz nga mbushja e japrakëve mund t’a përdorni për të mbushur përime dhe t’i gatuani në furrë.