Ballina Bota SHBA, konservatorët vendosin kufizime për abortin

SHBA, konservatorët vendosin kufizime për abortin

Disa shtete amerikane kanë vendosur rishtazi kufizime të reja ndaj abortit. Janë inkurajuar kështu kundërshtarët e abortit për mundësinë e sfidimit të vendimit të vitit 1973 të Gjykatës së Lartë, që vendosi të drejtën kushtetuese të grave për abortin. Situata ka ngjallur edhe reagime të forta nga mbështetësit e të drejtës së abortit, të cilët mund ta vendosin këtë çështje në epiqendër të zgjedhjeve presidenciale amerikane vitin e ardhshëm. Siç njofton nga Uashingtoni korrespondenti i Zërit të Amerikës, Jim Malone, aborti mbetet ndër çështjet më përçarëse dhe më polarizuese në shoqërinë amerikane.

Që nga Xhorxhia dhe deri në Alabama, kundërshtarët e abortit shpallën fitoren pasi miratuan projektligje që vendosin kufizime të mëdha.

Në Alabama, ligjvënësit miratuan një ndalim pothuajse të plotë të abortit, pa lejuar një përjashtim as për gratë që mbeten shtatëzënë pas një përdhunimi apo inçesti.

Në Misuri, ligjvënësit miratuan një ligj që ndalon abortet pas javës së tetë të shtatzanisë, me mbështetjen e republikanëve si Nick Schroer.

“A duhet të vritet pasi nuk e dëshirojnë prindërit? Përgjigja e thjeshtë është ‘jo’,” deklaroi zoti Schroer.

Mbështetësit e së drejtës për abort dolën për të protestuar në Misuri dhe Alabama ndaj kufizimeve të reja për të drejtat themelore të grave.

“Aktivistë kundër kësaj të drejte dhe politikanë republikanë e kanë bërë të qarta prej kohësh se duan të zhbëjnë vendimin e Gjykatës së Lartë dhe se do të penalizojnë abortin dhe do të ndëshkojnë gratë”, thotë Kristin Ford, mbështetëse e së drejtës për abort.

Vendimi i Gjykatës së Lartë për çështjen “Roe kundër Wade”, në vitin 1973, përcaktoi të drejtën kushtetuese për të abortuar.

Kundërshtarët e abortit mendojnë se kanë tashmë një mundësi të rrallë për të rrëzuar këtë vendim, duke qenë se Presidenti Trump ka emëruar edhe dy gjykatës konservatorë si anëtarë të Gjykatës së Lartë – Neil Gorsuch dhe Brett Kavanaugh.

“Në të shkuarën e kemi parë Gjykatën e Lartë të veprojë në mënyrë minimale dhe pa thënë se synohet rrëzimi i vendimit për të drejtën e abortit. Por, tani këto përpjekje mund të çojnë në rrëzimin e plotë të vendimit”, thotë Jessica Waters, eksperte në Universitetin Amerikan.

Përpjekjet më të fundit të disa shteteve amerikane për të kufizuar abortin janë vetëm kapitujt më të fundit të një beteje të gjatë politike.

“Pala e quajtur pro-jetës kërkon që të ketë përparësi mbi gjithçka jeta e foshnjës. Pala e quajtur pro-zgjedhjes kërkon që të kenë përparësi mbi të gjitha të drejtat e nënës. Shumica e publikut gjenden diku në mes, duke e perceptuar si një konflikt mes dy të drejtave, për të cilat duhet vendosur një lloj balance”, thotë Morris Fiorina, analist në Universitetin Stanford.

Disa nga kandidatët demokratë e kanë shndërruar tashmë në çështje qendrore dhe mund të paraqitet e tillë gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit të ardhshëm.

“Nëse njerëzit mendojnë se ka gjasa të zhbëhet vendimi i Gjykatës së Lartë për të drejtën e abortit, atëherë mund të dalin dhe të votojnë më shumë. Mendoj se ishte gabim nga republikanët konservatorë që po promovojnë këtë çështje kaq shumë”, thotë zonja Waters.

Aborti ka qenë ndër çështjet më të hershme përçarëse në politikën amerikane.

Sondazhet e opinionit publik gjatë viteve të fundit tregojnë se mbi 60% e amerikanëve dëshirojnë të mbahet në fuqi vendimi i Gjykatës së Lartë për të drejtën e abortit, ndërsa 30% kërkojnë që vendimi të rrëzohet.