Ballina Aktualitet Erdogan rithekson bashkëpunimin me Rusinë për sistemin e mbrojtjes ajrore

Erdogan rithekson bashkëpunimin me Rusinë për sistemin e mbrojtjes ajrore

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha sërish se do të vazhdojë me blerjen e sistemit mbrojtës S-400 nga Rusia, si dhe do të bashkëpunojë me Moskën në prodhimin e sistemit S-500 në të ardhmen, përkundër presionit të Shteteve të Bashkuara kundër marrëveshjes.

“Nuk vihet fare në pyetje që Turqia të bëjë ndonjë hap prapa për blerjen e sistemit S-400. Kjo është marrëveshje e përfunduar”, tha Erdogan më 18 maj.

Erdogan shtoi se ka pritur që SHBA do të lejojë Ankaranë për pjesëmarrje në prodhimin e aeroplanëve luftarakë F-35, në mes të kërcënimeve nga Uashingtoni se Turqia do të përjashtohet nëse blen sistemin mbrojtës rus. Turqia ka porositur po ashtu 100 avionë për ushtrinë.

“Amerikanët po e kalojnë topin në mesfushë tani, duke shfaqur ngurrim. Por, herët apo vonë, ne do të marim avionët. Nuk ka opsion tjetër”, shtoi Erdogan.

Administrata e presidentit Donald Trump dhe anëtarët e Kongresit amerikan, kanë bërë thirrje që Turqia të anulojë planin për blerjen e sistemit ajror mbrojtës të Rusisë, për të cilin fuqitë perëndimore thonë se nuk është në përputhje me sistemin e NATO-s dhe shfaq kërcënim për aeroplanët ushtarak të SHBA-së.

Erdogan tha se sistemi mbrojtës pritet të arrijë në korrik, por shtoi se mund të ketë vonesa.