Ballina Bota Huawei: Ndalimi në Amerikë do të ndikojë tek vendet e punës

Huawei: Ndalimi në Amerikë do të ndikojë tek vendet e punës

Urdhëri ekzekutiv për ndalimin e blerjeve të pajisjeve nga kompania Huawei hyn në fuqi sot. Por nga ana tjetër, gjigandi i telekomit kinez, Huawei, po paralajmëron Shtetet e Bashkuara se ndalimi i kësaj kompanie nga ndërtimi i gjeneratës së ardhëshme të rrjetit celular 5G në Shtetet e Bashkuara, do të ndikonte tek vendet e punës.

Presidenti Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv ditë më parë, duke ndaluar kompanitë amerikane që të përdorin pajisje telekomi të prodhuara nga kompanitë që përbëjnë rrezik për sigurinë kombëtare.

Drejtori i bordit të firmës Huawei, David Wang, thotë se kompania po keqinterpretohet.

“Kemi vënë re gjithashtu që disa qeveri dhe disa ekspertë kanë keqinterpretuar atë që është një çështje teknike e sigurisë kibernetike si një çëshjte ideologjike. Nëse është kështu, do të ishte e pamundur të garantohej siguria kibernetike. Nëse etiketoni një kompani, ose kompani nga një vend i caktuar, që nuk kanë pajisje të sigurta, kjo është një qasje ideologjike, është subjektive, jo objektive. Nuk ndihmon për të ndërtuar një botë së sigurtë në internet, as nuk do të garantonte siguri reale të rrjetit.”

Urdhëri i Presidentit Trump. i cili shpall një emergjencë kombëtare, është hapi i parë drejt zyrtarizimit të ndalimit të aktiviteteve tregtare me kompaninë Huawei.

Nga ana tjetër, kompania kineze ka bërë premtime të jashtëzakonshme për të fituar besimin e kritikëve duke hedhur poshtë pretendimet se

Huawei është kërcënim për sigurinë, si dhe duke ofruar të nënshkruajë marrëveshje kundër spiunazhit.

Zyrtarët amerikanë kanë sugjeruar se nëse vende të tjera zgjedhin të besojnë kompaninë Huawei për rrjetet e tyre 5G, Uashingtoni mund të rivlerësojë ndarjen e informacioneve me ta.