Kuvendi i Serbisë, më 27 maj, do të mbajë një seancë të posaçme për Kosovën, bëri të ditur kryetarja e këtij institucioni, Maja Gojkoviq.
Në një konferencë për media, Gojkoviq tha se në seancë do të ftohet presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili do të sjellë një raport për Kosovën dhe do të marrë pjesë në debat.
Ftesë do t’i dërgohet edhe kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, dhe drejtorit të Zyrës për Kosovën në Serbi, Marko Gjuriq, raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.
Gojkoviq tha se shpreson se në seancë do të marrin pjesë të gjithë deputetët.
Qysh në muajin shkurt, disa deputetë të opozitës në Serbi e bojkotojnë punën e Kuvendit, duke thënë se deputetët e pushtetit i shkelin procedurat dhe e pamundësojnë debatin demokratik.
Vuçiq, në një intervistë për Radio-Televizionin e Serbisë, tha se është i gatshëm që të flasë për çështjen e Kosovës përpara deputetëve.