Ballina ED/OP “Europianët mund të jenë krenarë për arritjet e tyre”

“Europianët mund të jenë krenarë për arritjet e tyre”

Para zgjedhjeve europiane Gallup International ka matur pulsin politik të Bashkimit Europian. Atmosfera politike në Europë nuk është entuziaste. Por ka vend edhe për optimizëm, mendon drejtori i Gallup, Kancho Stoychev.

DW: Organizata Gallup International sapo publikoi një sondazh pë qëndrimin e eruopianëve ndaj Europës. Sipas tij, 71% e anketuarve brenda kontinentit ndjehen si europianë, në një kohë që në Britaninë e Madhe ndjehen të tillë vetëm 41%. Nga vjen ky aprovim kaq i madh për Europën brenda kontinentit?

Kancho Stoychev: Pa dyshim, Europa e bashkuar është projekti më i mirë i njerëzimit, u sjell njerëzve paqe dhe mirëqenie. Por ky projekt po kalon ndërkohë nëpër një krizë të thellë, shoqëruar me një rritje të pashembullt pasigurie tek popullsia e BE. Një proces i tillë ndjehet kudo në Europë. Popullsia po humbet besimin tek elitat politike. Europa nuk është vetëm vendi i lindjes së demokracisë, por edhe sistemi më demokratik i botës. Por europianët nuk u besojnë qeverive të tyre, mesatarisht vetëm një çereku i qytetarëve është i kënaqur me ta. Paradoksale: Në të gjitha rajonet gjeopolitike në botë përqindja e aprovimit është më e lartë, edhe në ato, ku demokracia është më pak e stabilizuar, ose ku nuk ka demokraci. Po të shohim vendet europiane, që nuk janë në BE, aty aprovimi është 37%, në Rusi psh. 31%.

Kjo shtron pyetjen, nëse është e mundur demokracia pa besim në organet e saj?

Po. Sepse shifrat mund të interpretohen kështu: Shumica e qytetarëve në dy anët e Kanalit (fjala është për Kanalin e La Manshit, shën .red.)  nuk e do as BE dhe as qeveritë e zgjedhura në mënyrë demokratike. Përveç kësaj një shumicë e qartë e refuzon Brukselin, simbolin e unitetit europian. BE lindi si projekt i elitave. Këtu nuk ka gjë të keqe. Përkundrazi është rruga e vetme për të bërë realitet një ndryshim kaq të thellë si ai në vitet e fundit. Problemi qëndron aty, se ky projekt mbeti projekt elitash, ose të paktën perceptohet kështu nga shumica e europianëve si i tillë. Shumica e pëlqejnë idenë bazë, por janë skeptikë në zbatimin dhe funksionimin e saj.

A mendoni se Brexit mund të jetë i kthyeshëm?

Po, edhe pse kjo kthesë nuk mund të merret nga njëra anë. Impulset duhet të vijnë nga të dyja palët. Kjo do të thotë, që britanikët të votonin sërish e në drejtimin e kundërt. Dhe BE të ndryshojë “biblën” e saj, rregulloret aktuale. Studimi ynë tregoi, se në nivel qytetarësh të dyja palët gjejnë mazhoranca të fuqishme pro të qenurit të bashkuar. Problemi qëndron në anën e elitave, ato kanë qëndrime të ndryshme, se çfarë do të thotë të qëndrosh së bashku.

Kancho Stoychev, president i Gallup International Association

Përsa i përket ndjenjës së lidhjes me BE: ajo është me 71% shumë më e lartë se në Britaninë e Madhe, ku vetëm 42% e qytetarëve ndjehen të lidhur me BE. Cilat janë arsyet për këto rezerva?

Kjo lidhet sërish me elitat. Britanikët kanë një problem psikologjik të madh, që lidhet me të shkuarën e tyre. Disa ende nuk e kanë përpunuar dot që Britania e Madhe duhet të dorëzonte rolin e saj si perandori. Kësaj i shtohen kujtime të larta, si triumfi ndaj Gjermanisë naziste në vitin 1945. Këto kujtime janë për disa pjesë të elitës ende baza e botëkuptimit të tyre. Përveç kësaj ato kanë filluar prej dekadash një fushatë anti-Brukselit. Sigurisht në një masë të caktuar kjo kritikë ishte e drejtë. Por ajo ishte edhe e njëanshme dhe nuk i shërbente interesave dhe të ardhmes së Mbretërisë së Bashkuar. Tani duket se ky qëndrim po ndryshon.

Po të intepretojmë pozitivisht…në kontinent ndjehen shumë më tepër qytetarë si europianë. Nga vjen kjo ndjesi?

Në një botë të globalizuar, çdo komb i BE, edhe ai më i madhi, ai gjerman, ka një përmasë shumë të vogël. Historia iniciohet nga individë, por zbatohet nga masat. Vetëm kështu të bashkuar mund të kemi një peshë historike. Së bashku kemi vërtet avantazhe serioze, dhe mund të luajmë edhe më tej rolin e një modeli.

A do të flisnit për ekzistencën e një identeti europian?

Sigurisht që ka një identitet europian. Por ne nuk duhet t’ia kundërvëmë atë identitetit kombëtar, as të mos përpiqemi që ta nënshtrojmë. Kë do më shumë ti, vendin tënd apo familjen tënde? Ky është një shembull për një pyetje idiote, që sigurisht mund të çojë në një vendim jo të mençur dhe jo të natyrshëm. Të mos harrojmë, se edhe një identitet si ai francez, italian apo gjerman është krahasimisht një fenomen i ri. Deri para një kohe jo shumë të gjatë europianët nuk identifikoheshin me qytetin apo rajonin e tyre.

Çfarë pritshmërish kanë europianët nga zgjedhjet e ardhshme të BE?

Njerëzit janë të ndarë në pritshmëritë e tyre. Në perëndim e veçanërisht në veri dominojnë pritshmëri negative, ndërkohë që në jug dhe lindje ato janë kryesisht pozitive. Pyetja më kryesore është: çfarë është pozitive dhe negative në këtë kontekst? Këtu ka qëndrime me sa duket shumë të ndryshme. Prandaj përgjigjet mund t’i kuptosh si shprehje të një gjendjeje emocionale, se sa si program.

Cilat janë kritikat kryesore ndaj BE-së siç është sot?

Kritika më e madhe e europianëve ndaj Brukselit lidhet me burokracinë e pajustifikuar dhe mungesën e transparencës. Edhe mungesa e eficiencës shihet si temë. Përveç kësaj kemi nevojën e një ushtrie europiane dhe mbrojtjes së përbashkët, përfshirë edhe sigurimin e kufijve. Në një të ardhme do të duhet të votohet edhe për një president europian, sado e vështirë të jetë rruga deri aty. Përveç kësaj ne europianët nuk duhet ta bëjmë politikën tonë europiane të varur nga parashtrimet e anës tjetër të Atlantikut. Dhe: Ne mund të jemi krenarë për atë që kemi arritur. Njerëzit në të gjithë botën e shohin Europën si një faktor të rëndësishëm të stabilizimit politik. Këtë rol duhet të vazhdojmë ta luajmë në mënyrë aktive.

 

Kancho Stoychev është president i Institutit Demografik “Gallup International Association”.