Senati i Shtetit të Alabamës miratoi një projekt-ligj për ndalimin pothuajse total të aborteve të martën, duke e bërë këtë një nga ligjet me të ashpra kundër abortit në Shtetet e Bashkuara. Ligji është dërguar për nënshkrim tek zyra e guvernatores së Alabamës Kay Ivey.
Senati i shtetit të Alabamës, i dominuar nga republikanët votoi me 25 vota pro dhe 6 kundër për ta bërë abortin në çdo fazë të shtatzënisë një krim të dënueshëm deri me 99 vjet burg ose burgim të përjetshëm për ofruesin e abortit. Përjashtimi i vetëm, sipas këtij ligji, do të ishin rastet kur shëndeti i gruas është në rrezik serioz.
Senatorët refuzuan një përpjekje për të shtuar një përjashtim tjetër, atë të rasteve të përdhunimit dhe incestit.
Mbështetësit thonë se projekt-ligji është hartuar për të nxitur dërgimin e kësaj çështje në Gjykatën e Lartë të Shteteve të Bashkuara, në mënyrë që ajo të rishqyrtojë vendimin e rëndësishëm të vitit 1973 që legalizoi abortin në shkallë kombëtare.
“Unë them se duhet të jeni shumë të kujdesshëm rreth asaj që dëshironi të përmbysni. Ndërsa ju mendoni se keni një President që është gati t’ju mbështesë në përmbysjen e ligjit Roe v. Wade (ligjin për abortin) dhe ta dorëzojë atë në Gjykatën e Lartë, ekzistojnë precedentë, dispozita kushtetuese që këta burra dhe gra i respektojnë më shumë se sa bindjet e partive politike”, tha Senatori shtetëror i Alabamës, Bobby Singleton.
Zëdhënësja e guvernatores republikane, Kay Ivey tha se nuk do të bënte komente deri sa ta shqyrtonte plotësisht variantin përfundimtar të projekt-ligjit.
Kundërshtarët e abortit në disa shtete po përpiqen të sfidojnë qasjen ndaj abortit, të inkurajuar nga gjykatësit e rinj konservatorë të Gjykatës e Lartë të Shteteve të Bashkuara.
Shtetet Kentaki, Misisipi, Ohajo dhe Xhorxhia kanë miratuar ligje për ndalimin e abortit kur mund të dëgjohen rrahjet e zemrës së fetusit, që mund të ndodhë në javën e gjashtë të shtatzënisë.