Ballina Kryesore Sot – 62 vjeç…! DHURATAT PËR MUHAMET MALON…! – Nga...

Sot – 62 vjeç…! DHURATAT PËR MUHAMET MALON…! – Nga ILIR KADIA

Sot është dita e lindjes tënde Mik i shtrenjtë!
Përfyturoj si do ish festa me ty në krye të saj! Tufat e luleve të porositura e mbrritura nga Amerika, Gjermania, Anglia, Italia…me fjongon që do mbartë urimin: ”Edhe 100 i Dashur Meti!” Dhe miqtë e shokët në rradhë nga Kolonja, Devolli, Kukësi, Saranda, Tropoja, Gjirokastra, Berati, Shkodra…për të të marrë në qafë e shtrënguar fort, mirënjohës që u zbukurove jetën me zemrën e shpirtin tënd të mirë! Ti o Mik që si askush e deshe Njeriun!
Përfytyroj burra, gra, vajza e djem që ti ja rrëmbeve kthetrave të së ligës dhe ia ktheve familjeve dhe ata me buqeta lulesh si mirënjohje për ty!
Përfyturoj poetë e shkrimtarë me librat e tyre në dorë dhuratë për ty! Se prej teje, prej bujarisë tënde e panë dritën e diellit! Sportistët si dikur në spartakiada i shoh të rreshtuar në studiume dhe pallate sporti me medalje në qafë e kupa të ngritura lart si dhuratë për ty! Se prej teje i kanë kurorat e dafinës mbi krye!
Për ty o Njeri që si rrallëkush e deshe Atdheun! Që e more përdore ëndrrën e rinisë dhe e ngjite mes resh në maje të Dajtit! E shkrive pasurinë që t’u falje njerëzve gëzim nga bukuritë e Atdheut! Që ta deshin shumë e të ishin krenar me të! Të ishin krenar me gjuhën shqipe, gjuhën kozmike, gjuhën e perëndive për të cilën mjerë ai që të kundërshtonte!
Të sjell në mendje në shkollë! Sa shumë i respektoje mësuesit! Dhe më dukej çudi! Djemtë e tjerë me muskuj si ty ishin ndryshe! Pastaj atë fisnikërinë tënde në tapet si mundës Kampion! Dhe në fitore edhe në humbje e njëjta buzëqeshje dashamire me rivalin! Sporti u bë bota jote! Botë të cilën ti e zmadhove, zbukurove dhe ndave me të gjithë sportistët, miq e shokë! Tani rri pyes veten: A do e ketë Shqipëria sërish një Muhamet Malo që ti ketë aq lezet fjala e bashkimit mes sportistësh?!
I shoh në radhë me tufa kujtimesh mirënjohëse në këtë ditë të lindjes tënde kolegët gazetarë që ti u hape krahët dhe zemren…dhe u rrite famën!
Të sjell në mendje 33 vjeç në moshen e Krishtit si zgjoheshe me yjet që ndezi liria dhe nëpër agun e mëngjezit tek merrje rrugët e saj e tek të vinte t’u bërtisje njerëzve që flinin:”Ej, njerëz! Zgjohuni dhe punoni! Liria punon për të tërë!” Dhe për ty punoi e djersën ta bëri pasuri!
Katër trashëgimtarët e tu e gëzojnë me miq e shokë këtë pasuri. Dhe nuk është e vogël, është pasuri e madhe! Por kurrë më e madhe se trokitja në kraharorët e tyre të katër zemrave fisnike si ZEMRA E MUHAMET MALO-s!