Ballina Bota Liderët europianë zotohen për mbrojtje të demokracisë

Liderët europianë zotohen për mbrojtje të demokracisë

Liderët evropianë kanë thënë përmes një deklarate më 9 maj se mbesin të përkushtuar për të kryer reforma në disa fusha dhe për të mbrojtur demokracinë e sundimin e ligjit.

Kryeministrja britanike, Theresa May, nuk ka qenë pjesë e samitit joformal që po mbahet në Rumani, vend në të cilin liderët evropianë kanë diskutuar të ardhmen e BE-së, pas largimit të Britanisë nga ky bllok.

Ky samit është duke u zhvilluar vetëm dy javë para mbajtjes së zgjedhjeve evropiane, proces i cili rrezikon të rezultojë me rritje të partive populliste dhe atyre euroskeptike.

Në këtë takim është miratuar një deklaratë me 10 pika, të cilat për disa diplomatë në Bruksel janë konsideruar si “10 komanda” për Komisionin e ardhshëm Evropian.

“Ne do të vazhdojmë të mbrojmë mënyrën tonë të jetesës, demokracinë dhe sundimin e ligjit”, është thënë në deklaratë.

Pas miratimit të deklaratës, liderët kanë nisur diskutimet për një “agjendë strategjike”, të udhëhequr nga presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk.

Ku dokument do të diskutohet edhe në një tjetër samit që pritet të mbahet në fillim të muajit qershor, për të diskutuar se si rezultati zgjedhor do të ndikojë në strukturën e re të Komisionit Evropian.

Megjithatë pavarësisht nënshkrimit të deklaratës së përbashkët, liderët e bllokut evropian janë duke shtyrë përpara agjenda të ndryshme shtetërore.

Presidenti francez, Emmanuel Macron është duke bërë fushatë të zëshme për ambientin dhe klimën derisa kryeministri hungarez, Viktor Orban nuk po arrin pajtueshmëri me kolegët e tij sa u përket çështjeve të migrimit.