Ballina Aktualitet Ish-këshilltari në negociatat e Rambujesë, Prof. Paul Williams për Zërin e Amerikës:...

Ish-këshilltari në negociatat e Rambujesë, Prof. Paul Williams për Zërin e Amerikës: SHBA duhet të luajë rol për zhbllokimin e negociatave Kosovë-Serbi

Një profesor i së drejtës në Universitetin Amerikan dhe njohës i hershëm i çështjes së Kosovës thotë se bllokimi i negociatave mes Kosovës dhe Serbisë tregon mungesën e efikasitetit të Bashkimit Evropian, duke shtuar se si BE-ja ashtu edhe Shtetet e Bashkuara duhet të angazhohen për të arritur një zhbllokim, Profesor Paul Williams e sheh edhe çështjen e tarifës, si një rezultat të dështimit në procesin e ndërmjetësimit të komunitetit ndërkombëtar. Në intervistën me kolegen Keida Kostreci, ish-këshilltari në negociatat e Rambujesë, thotë se “hendeku i përgjegjësisë” për drejtësinë në Kosovë duhet mbyllur dhe të dyja vendet duhet të shohin përpara.

Embedshare

Williams: SHBA duhet të luajë rol për zhbllokimin e negociatave Kosovë-Serbi

Embedshare

The code has been copied to your clipboard.

width px height px

The URL has been copied to your clipboard

No media source currently available

0:00 0:07:09

0:00

Direct link

Zëri i Amerikës: Prof. Williams, ju jeni marrë me çështjen e Kosovës që nga koha e bisedimeve të Rambujesë. Pas kaq vitesh, si do ta përshkruanit situatën e sotme, kur pas shumë raunde bisedimesh, nuk ka pasur sukses në negociatat mes Kosovës dhe Serbisë për një marrëveshje?

Prof. Paul Williams: Fakti që nuk kanë pasur sukses, është një trashëgimi e disa prej kufizimeve në negociatat e Rambujesë. Gjatë Rambujesë ishte e qartë që populli i Kosovës, nuk kishte të ardhme në Serbi dhe Kosova duhej të bëhej e pavarur. Por marrëveshja e Rambujesë në vetvete ishte aq e komplikuar, sa do ta kishte kufizuar shndërrimin e shpejtë të Kosovës në një shtet të pavarur. Ndërhyrja e NATO-s, rezoluta 1244 dhe ndihma e UNMIK-ut e ndreqën këtë. Por megjithëse pengesat u kapërcyen, në negociatat e tanishme, shihen pasojat e atyre komplikimeve. E vetmja rrugë që të ketë një paqe të qëndrueshme në Ballkan është që të zgjidhet njëherë e përgjithmonë çështja e Kosovës. Dhe kjo bëhet nëse Bashkimi Evropian ushtron presion ndaj Beogradit që të bëjë atë që duhet. Bashkimi Evropian nuk është shumë efikas në ushtrimin e trysnisë për të arritur objektivat e veta të politikës së jashtme dhe mendoj se kjo është pengesa që kemi në këto negociata.

Zëri i Amerikës: A është çështje efikasiteti apo mungesë vullneti?

Prof. Paul Williams: Mendoj të dyja. Mendoj që Bashkimi Evropian, gjatë 20 viteve të fundit, e ka keqperceptuar aftësinë e vet për të ndikuar tek sjelljet e vendeve të tjera, duke paraqitur BE-në si një magnet tërheqës. Po t’u kërkosh evropianëve të hapin çantët e veglave diplomatike, shikon vetëm një vegël: çekiçin. Është nxitja për anëtarësim, apo procesi për të shkuar drejt anëtarësimit. Po të pyesësh Shtetet e Bashkuara, Britaninë, ato kanë një numër instrumentash. Amerikanët dhe disa nga vendet evropiane janë shumë të zotë në përdorimin e tyre. BE-ja përdor vetëm Stabilizim-Asociimin si instrument dhe nuk ai nuk mund t’i përshtatet çdo rasti.

Zëri i Amerikës: Që nga vera e vitit të kaluar tema më e nxehtë në lidhje me këto biseda ka qenë korrigjimi i kufijve, shkëmbimi i territoreve, ndryshimi i territorit, megjithëse tani po flitet më pak për të. Cili është mendimi juaj?

Prof. Paul Williams: Nëse një qeveri diskuton një shkëmbim territori ose ndryshim kufijsh, kjo do të ishte legjitime vetëm nëse shumica dërrmuese e popullsisë e mbështet atë. Mendimi im është se duhet të jesh jashtë mase i kujdesshëm për një ndryshim apo këmbim territori, sepse ka aq shumë copëza në hartë në gjithë Ballkanin, Evropën Lindore dhe Qendrore dhe madje edhe në Evropën Perëndimore, ku mund të ketë një mundësi apo një hapësirë për këmbim territori. Në momentin që kjo konsiderohet normale, e pranueshme, atëherë nuk dihet se çfarë reaksioni zinxhir mund të shkaktojë në vende të tjera. Konkretisht mund të flasim për Kosovën, popullsinë shqiptare në vendet fqinjë, apo popullsitë e tjera serbe, boshnjake, kroate në vendet fqinjë me to dhe përfundon me shumë ndryshime. Dhe nuk ka një mekanizëm ekzistent që mund të moderojë ose menaxhojë ripërcaktimin e kufijve në Evropë. I takon popullit të Kosovës të vendosë, por është diçka që do duhej të bëhej me shumë kujdes.

Zëri i Amerikës: Procesi i negociatave është drejtuar nga Bashkimi Evropian. Cili mendoni se duhet të jetë roli i Shteteve të Bashkuara?

Prof. Paul Williams: Në të gjitha rastet kur ka pasur përparim të konsiderueshëm përsa i takon Kosovës, kjo ka qenë falë Shteteve të Bashkuara. BE-ja i menaxhon negociatat përsa kohë nuk ka bllokim. Por kur janë të bllokuara, Shtetet e Bashkuara duhet të luajnë rolin e tyre, sepse amerikanët kanë aftësinë për të identifikuar zgjidhje, si edhe kanë fuqinë ekonomike dhe politike t’i shtyjnë të dyja palët të arrijnë një marrëveshje dhe çka është më e rëndësishme, amerikanët janë në gjendje të sigurojnë një mburojë politike për njërën ose të dyja palët, kur ato nënshkruajnë një marrëveshje. Dhe kur amerikanët japin garanci për diçka në këmbim të një marrëveshjeje, ata e mbajnë fjalën.

Zëri i Amerikës: Kohët e fundit ka pasur një debat lidhur me tarifën 100 për qind vendosur për mallrat serbe. Ky veprim është kritikuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, por tarifa vazhdon të jetë në fuqi. Çfarë mendoni për këto lloj masash që janë të njëanshme dhe që disa mund t’i quajnë të skajshme dhe penguese për procesin?

Prof. Paul Williams: Kur komuniteti ndërkombëtar dhe ndërmjetësit, në këtë rast Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara që nuk janë të përfshira drejtpërdrejt, nuk arrijnë të krijojnë një proces efektiv, apo të bindin apo nxisin me efektivitet palët që të angazhohen në proces me mirëbesim apo të arrijnë një marrëveshje, atëherë palët fillojnë të eksperimentojnë me mënyrat e tyre për të pasur ndikim në proces. Prandaj kjo tarifë 100 për qind, qoftë ide e mirë apo e keqe, është pasojë e dështimit të procesit të drejtuar nga Bashkimi Evropian dhe pasojë e qëndrimit mënjanë të Shteteve të Bashkuara.

Në një skenar ideal, kur ka një zvarritje të procesit, ndërmjetësit ndërhyjnë me masa nxitëse për të zhbllokuar situatën, prandaj këto tarifa janë një simptomë e problemit që negociatorët kanë ngecur dhe ndërmjetësi, Bashkimi Evropian nuk po merr kontrollin e plotë të përgjegjësive të tij për t’u dhënë shtysë palëve që të ecin përpara.

Zëri i Amerikës: Por si mendoni që kjo do të shkojë më tej? Shtetet e Bashkuara dhe disa nga udhëheqësit evropianë po thonë se tani është koha për të arritur një marrëveshje dhe është vendosur edhe një si të thuash afat deri në fund të vitit. A është kjo realiste?

Prof. Paul Williams: Ndërmjetësit gjithmonë vendosin afate dhe afati është i paarritshëm deri një natë më parë dhe pastaj ndodhin ca gjëra dhe (marrëveshja) bëhet e arritshme. Unë do të ndjehesha i inkurajuar nga afati i fundit të vitit, sepse jo vetëm që i mban të fokusuara palët, por edhe ndërmjetësit, Bashkimin Evropian. Nëse kanë caktuar një afat, afati është për palët, por edhe për veten e tyre. Dhe kjo u jep mundësi edhe amerikanëve të fokusohen sepse amerikanët do duan të kenë qëndrimin e tyre në marreveshjen përfundimtare të negociuar dhe nëse e dinë që ka një afat prej 6-9 muajsh, ata kanë më shumë gjasa që të angazhojnë burime, që marrëveshja të jetë siç duhet.

Zëri i Amerikës: Disa ditë më parë në një seancë të Kongresit për Kosovën, ju folët për një “hendek përgjegjësie” përsa i takon ndjekjes penale dhe dënimit të shkaktarëve të krimeve në luftën e Kosovës. Kjo nuk ka ndodhur për shkak të mos njohjes së fakteve. Atëherë si është arritur në pikën ku është krijuar ky hendek?

Prof. Paul Williams: Është shumë e qartë se çfarë ndodhi gjatë konfliktit të Kosovës, cilët ishin përgjegjës, cilët ishin viktimat, dhe përmasat e viktimizimit të popullit të Kosovës nga autorët e krimeve të regjimit serb. Por kemi parë se vetëm një numër i vogël shkaktarësh është vënë para përgjegjësisë për këto krime lufte. Ka tre arsye për këtë: E para është thjesht mungesa e vullnetit politik. Komuniteti ndërkombëtar ka mbajtur qëndrimin e akomodimit dhe marrjes me të mirë ndaj regjimit serb, pra është vendosur një dozë drejtësie, por jo një drejtësi rrënjësore. Së dyti, mekanizmat e krijuar pas Gjykatës për ish-Jugosllavinë, seancat e panelit 64 të Misionit të Kombeve të Bashkuara, EULEX-i thjesht nuk i kishin aftësitë, fondet, personelin dhe qualifikimet që t’i bënin siç duhej këto hetime, apo për të ruajtur provat në një format të përshtatshëm për ndjekje penale. Dhe së treti, komuniteti ndërkombëtar u shpërqendrua nga një fokus miopik tek krimet që akuzohet se ka kryer UÇK-ja dhe e largoi vëmendjen nga fakti se mbi 80 për qind e mizorive që ndodhën në Kosovë, u kryen nga autorë të lidhur me regjimin serb në atë kohë.

Zëri i Amerikës: Pse mendoni ju mungonte vullneti politik nga komuniteti ndërkombëtar?

Prof. Paul Williams: Unë kam punuar me çështjet e Ballkanit për më shumë se 20 vjet dhe po t’u hedhësh një vështrim negociatave të lidhura me Kroacinë, Bosnjen dhe më pas Kosovën, arrin në përfundimin se komuniteti ndërkombëtar është më komod që në raste të ndërlikuara, të gjitha palët të jenë përgjegjëse, sepse në situata kur njëra palë është qartësisht viktima dhe pala tjetër qartësisht shkaktare, është më e vështirë të negociosh një marrëveshje paqeje. Një nga faktet e Marrëveshjeve të Paqes së Dejtonit, ishte se tre nga katër nënshkruesit e tyre, që solli fundin e konfliktit në Bosnje, ishin paditur ose duhej të ishin të paditur për krime lufte. Millosheviçi, Krajisnik u paditën dhe u shpallën fajtorë dhe Carla Del Ponte kishte lënë të kuptohej se Tugjman do të ishte paditur po të mos kishte vdekur. Dhe tani shohim se kjo dëshirë për të akomoduar apo për të marrë me të mirë vazhdon me qëndrimin e Bashkimit Evropian për t’u përpjekur për ta afruar Serbinë me BE-në përmes një Marrëveshjeje të Stabilizimint dhe Asociimit, apo mënyra të tjera. Dhe kjo mund të realizohet vetëm duke e rrethuar me mjegull faktin se regjimi serb ishte përgjegjësi kryesor për mizoritë që ndodhën në Kosovë. Po ashtu kur vazhdon të kesh mekanizma për vendosjen e drejtësisë, megjithëse e rëndësishme për viktimat, kjo është një kujtesë e vazhdueshme se ka autorë krimesh që vazhdojnë të operojnë në Serbi, me gjasë shumë prej të cilëve në infrastrukturën politike, ushtarake dhe policore.

Zëri i Amerikës: Duke pasur parasysh gjendjen që ju sapo përshkruat, si mund të mbyllet ky hendek dhe të shmanget ajo që ju e keni quajtur vënia e shenjës së barazisë morale mes viktimave dhe shkaktarëve të krimeve?

Prof. Paul Williams: Ka disa mënyra se si mund të mbyllet ky hendek përgjegjësie. E para është që thjesht të thuhen gjërat me ndershmëri, të pranohet që ka qindra-mijëra viktima shqiptarë të Kosovës që u dëbuan me forcë nga Kosova gjatë konfliktit, që kishte mbi 10 mijë individë që u vranë, dhjetra-mijëra që u torturuan dhe sipas shifrave të fundit, mbi 20 mijë ishin viktima të përdhunimeve të lidhura me konfliktin. Pranimi i këtij fakti, është hapi fillestar për mbylljen e hendekut të përgjegjësisë. Dhe pastaj t’u jepet viktimave një platformë për një proces katharsisi dhe vënia para përgjegjësisë për krimet e tyre e atyre që janë përgjegjës, do të ishte hapi i mëtejshëm, të mendohet se çfarë mekanizmash mund të ekzistojnë dhe të krijohen nëse nuk janë. Dhe e treta është se kemi Gjykatën e Posaçme, krijuar nga parlamenti i Kosovës dhe që ka gjykatës dhe prokurorë ndërkombëtarë. Megjithëse ka një mandat juridik të pazakontë, ai mandat mund të interpretohet në mënyrë të tillë që të vlejë për të gjitha krimet që u kryen në territorin e Kosovës dhe ajo mund të bëhet një mekanizëm për t’i përballur individët me përgjegjësinë dhe për të siguruar katharsisin për viktimat.

Zëri i Amerikës: Siç e përmendët në seancë lidhur me Gjykatën, mund të jetë e nevojshme të ri-interpretohet mandati i saj, ose ndoshta edhe të modifikohet. A mendoni se kjo është realiste dhe se Shtetet e Bashkuara do të kishin vullnetin për t’u angazhuar për këtë qëllim?

Prof. Paul Williams: Gjykata siç e përmenda ka një mandat të pazakontë. Zakonisht kur ngre një gjykatë, juridiksioni territorial dhe personal është i përcaktuar fare qartë. Juridiksioni i Dhomave të Specializuara është për krime të lidhura me një raport që ishte kërkuar nga Këshilli i Evropës. Kështuqë duhet të lexosh raportin për të parë se për çfarë krimesh bëhet fjalë. Dhe megjithëse flitet për krime për cilat akuzohet UÇK-ja, aty bëhet shumë e qartë, që në territorin e Kosovës ishin kryer shumë lloje krimesh. Pra një avokat, ose një prokuror mundet të lexojë raportin, të lexojë statutin në bazë të të cilit është krijuar gjykata dhe të arrijë në përfundimin se ka juridiksion për të ndjekur penalisht cilindo që ka kryer krime në territorin e Kosovës. Por nuk ëshë e qartë nëse Gjykata vetë e sheh në këtë mënyrë mandatin e saj, prandaj mendoj se do të ishte e rëndësishme që të sqarohet, riafirmohet, ose madje edhe të amendohet juridiksioni i saj. Në fund të kundit është një institucion i Kosovës, kështuqë parlamenti i Kosovës mund ta amendojë. Më pyetët nëse është realiste apo nëse është e mundur: duke punuar në zona konfliktesh 25 vitet e fundit, kam arritur në përfundimin se gjëra që ne mendojmë se janë të pamundura, bëhen realitet. Kur isha një jurist i ri në Departamentin e Shtetit në fillim të viteve 1990, flitej për krijimin e një gjykate ndërkombëtare për të ndjekur penalisht përgjegjësit për krime lufte. Dhe përgjigjia ishte: Kemi Tokion dhe Nurenbergun, por ato ishin para shumë dekadash dhe nuk kishte interes deri në momentin kur e krijuam Gjykatën për Jugosllavinë. Dhe pastaj atë të Ruandës, së Sierra Leones, të Kamboxhas dhe pastaj Gjykatën Ndërkombëtare Penale. Prandaj nuk do ta minimizoja mundësinë e asnjë nisme kur bëhet fjalë për përgjegjësi dhe katharsis për viktimat. Ka një kërkesë kaq të fuqishme nga viktimat për përgjegjësi dhe katharsis, saqë me duket realiste që amerikanët të angazhohen dhe ta mbështesin një gjë të tillë.

Zëri i Amerikës: Si mundet komuniteti ndërkombëtar njëkohësisht të jetë në gjendje të vendosë drejtësinë dhe të ndjekë objektivin e negociatave politike, kur sapo thamë se ndoshta as nuk e ka vullnetin për procesin e vendosjes së drejtësisë pasi diplomacia nuk funksionon si drejtësia restorative, për shkak të nevojës që të dyja palët të jenë të investuara në proces?

Prof. Paul Williams: Ajo që kemi parë gjatë viteve është se instinkti fillestar, direktiva kryesore e diplomatëve është akomodimi që mund të çojë në paqtim ata kanë prirjen të jenë të drojtur dhe të vonuar kur bëhet fjalë për mekanizmat e drejtësisë, por në fund të fundit kjo lloj bërjeje e politikës, dështon. Dështoi në Bosnje, për tre vjet dhe u desh ndërhyrja e OKB-së dhe NATO-s për të detyruar palët të nënshkruajnë Marrëveshjen e Dejtonit. Në Kosovë ishte ndërhyrja humanitare e udhëhequr nga NATO-ja, pasi përpjekjet për të akomoduar Millosheviçin dështuan. Kosova u bë e pavarur pas një kohe të gjatë megjithëse komuniteti ndërkombëtar u përpoq ta shmangte një gjë të tillë, por tani Kosova ka një shkallë statusi ndërkombëtar. Dhe mendoj se edhe në këtë rast do të shohim të njëjtën gjë. Është kjo ndjesia që kemi siguruar atë dozë drejtësie që na duhet, por është e qartë që nuk është arritur drejtësia e nevojshme për të mbyllur hendekun e përgjegjësisë dhe për t’u dhënë viktimave mundësinë që t’u mbyllen plagët, që është e nevojshme për pajtim dhe paqe të qëndrueshme.

Zëri i Amerikës: Me shtytjen më të fundit për një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, 10 vjet pas pavarësisë së Kosovës papritur e pakujtuar po vihet në diskutim legjitimiteti i saj, për shkak të diskutimeve nëse është njohur dhe po hidhen dyshime edhe nga shkaku i vetëm i diskutimit të saj në qarqet diplomatike. Si e shihni një gjë të tillë?

Prof. Paul Williams: Më duket shumë befasuese dhe zhgënjyese. Të them të drejtën nuk ka kuptim të hidhen dyshime për legjitmitetin e Kosovës. Nëse Kosova nuk është vend i pavarur atëherë çfarë është? Qartësisht nuk është pjesë e Serbisë. Nga perspektiva e së drejtës ndërkombëtare, është e qartë se shtetësia është një rrugë me një drejtim. Entitetet bëhen shtete dhe mbeten shtete. Nuk mund të kthesh mprapsht njohjen apo të delegjitimosh. Nuk ndodh. Kosova, me aq shumë njohje e ka kaluar atë fazë. Fakti që Serbia, Rusia nuk e njohin nuk ka rëndësi për statusin e Kosovës si vend.

Zëri i Amerikës: Dhe në fund meqenëse keni kaq vjet që merreni me Kosovën, 15-20 vjet më parë ku parashikonit se do të ishte Kosova sot dhe ku parashikoni se do të jetë ajo – dhe ku do të jenë Kosova dhe Serbia në raport me njëra-tjetrën – pas 15-20 vjetësh?

Prof. Paul Williams: Unë fillova të angazhohem me Kosovën në vitin 1996. Po të më kishit pyetur në atë kohë se si do të dukej e ardhmja për Kosovën, në krahasim me zona të tjera ku kisha punuar në gjithë botën, do kisha menduar që do të kishte një lloj autonomie, brenda Serbisë, që Serbia do të ishte pothuajse demokratike, diku në mes të Perëndimit dhe rusëve dhe Kosova do të mund të vazhdonte disi e mbrojtur në një farë mase fizikisht, por jo me një autonomi të vërtetë politike apo ekonomike apo vetëvendosje. Por kur shoh që Kosova është e pavarur, është demokratike dhe që në një masë pak a shumë të konsiderueshme, e integruar ekonomikisht me perëndimin. Dhe sigurisht çdo vend përballet me sfida politike dhe ekonomike por nga perpektiva e regjimit pothuajse apartejd që ekzistonte në vitin 1996 në Kosovë tek aftësia bazike që ka çdo qytetar i saj për të qenë i realizuar, i përmbushur dhe i gjithë vendi të ketë aftësinë vendosë vetë për fatin e tij, është diçka që duhet të mbahet parasysh. Nga syri i jashtëm, Kosova është një histori suksesi dhe kjo është falë angazhimit, vendosmërisë dhe fokusit të popullit të Kosovës. Kështu në 20 vitet e ardhshme si për Kosovën, edhe Serbinë dhe rajonin, unë jam shumë optimist. Realiteti është që Kosova po sheh drejt së ardhmes, Serbia ka një sy nga e ardhmja dhe një sy nga e kaluara dhe këtu hyn Rusia që i ka dy sytë nga e kaluara. Por kjo nuk është e qëndrueshme. Bota lëviz përpara dhe me kalimin e kohës edhe Serbia do ta bëjë atë kthesë dhe të ecë përpara. Kështuqë unë vazhdoj të jem optimist.