Shqipëria meriton hapjen e bisedimeve për anëtarësim: deklarata u bë sot pasdite në Tiranë nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë Federica Mogherini. E ardhur në Tiranë për të marrë pjesë në takimin e krerëve të shteteve të vendeve të Ballkanit, në kuadër të nismës së Brdo-Brijunit, zonja Mogherini pati një takim dhe me Presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, ndërsa vonë në mbrëmje pritet të bisedojë dhe me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç. Më herët ajo u shpreh megjithatë se nuk shikon hapësira për rifillimin e dialogut për shkak të vednimit të qeverisë së Kosovës për vendosjen e tarifave mbi mallrat e importair nga Serbia dhe Bosnja, duke theksuar se “askush nuk fiton nga ky ngërç”.
Në një konferencë për shtyp me kryeministrin shqiptar Edi Rama zonja Mogherini vlerësoi hapat e bërë nga Shqipëria gjatë vitit të fundit, që kur Komisioni Europian rekomandoi në 2018-ën hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë, ndërsa vendet anëtare e shtynë për Qershorin e këtij viti vendimin e tyre përfundimtar. “Ajo që është arritur me roformën në Drejtësi është e paprecedent jo vetëm në këtë rajon”, u shpreh zonja Mogherini duke përmendur më pas dhe “uljen drastike të kultivimit të marijuanës”, apo dhe “disa operacione të mëdha që kanë sjellë shpërbërjen e disa grupeve kriminale. Eshtë përgjegjësi dhe e jona që t’i njohim këto hapa”, theksoi ajo.
Në fund të këtij muaji Komisioni Europian do të publikojë raportin e radhës të progresit. “ne presim vetëm një përgjigje nga Komisioni Europian, pra, përgjigjen se i kemi kryer plotësisht detyrat e shtëpisë dhe meritojmë çeljen e negociatave për anëtarësim” u shpreh nga ana e tij Kryeministri Edi Rama, duke shtura se “ne jemi të vetdijshëm që në fund të ditës gjykimi dhe vendimi final mbi rekomandimin e Komisionit do të varet nga rrethanat specifike në vetë vendet anëtare”. Edhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së theksoi se “Ju e keni bërë pjesën tuaj. I takon më parë Komisionit dhe më pas vendeve anëtarë të bëjnë pjesën e tyre”, tha ajo duke shtuar se “Për mua personalisht, do të ishte një zhgënjim shumë i madh nëse ky vendim nuk do të merrej tani, pra pas pak muajsh”.
Sipas vendimit të vitit të kaluar, vendet anëtare duhet të shprehen përfundimisht muajin e ardhshëm, por me gjasë, çështja mund të shtyhet, për shkak të kohës së shkurtër mes publikimit të Raportit nga ana e Komisionit dhe mbledhjes së Këshillit Europian.
Në fjalën e saj zonja Mogherini pati dhe një mesazh dërguar opozitës shqiptare pas vendimit për të dalë nga parlamenti duke hequr dorë nga mandatet e deputetëve të tyre. “Partitë politike nuk duhet t’i kthejnë shpinën rolit të tyre në proceset demokratike dhe përgjegjësisë që kanë ndaj qytetarëve që i kanë votuar, dhe qytetarët nuk duhen privuar nga opsionet e ndryshme politike për zgjedhjet e ardhshme vendore”, deklaroi ajo, duke ju referuar kështu dhe deklaratave të opozitës se nuk do të lejojë zhvillimin e zgjedhjeve të 30 Qershorit. “Ky është një mesazh i fortë e i bashkuar i të gjitha institucioneve të BE-së”, theksoi zonja Mogherini. Nga ana e tij kryeministri Edi Rama theksoi se “zgjedhjet do të mbahen në 30 qershor dhe të jeni të sigurt të gjithë që në 30 qershor do të zgjidhen të 61 kryetarët e bashkive dhe këshillat e rinj bashkiak. Kjo është pak, por e sigurtë”.
Duke ju përgjigjur pyetjes së gazetarëve, zonja Mogherini u shpreh dhe një herë për dialogun Kosovë-Serbi. “Vendimi qeverisë së Kosovës për tarifat për mallrat nga Serbia e Bosnja ka krijuar një mjedis që nuk është frytdhënës për dialogun. Në mungesë të këtij mjedisi nuk shoh që të rifillojë, kështu që përgjegjësia në duart e vendimarrësve në Kosovë. Shpresojmë se do dominojë zgjuarsia, mençuria pasi askush nuk do të fitonte nga ky ngërç i vazhdueshëm në dialog, as Kosova, as Serbia, por as pjesa tjetër e rajonit, pasi pajtimi dhe normalizimi është ashtu siç e ka përjetuar dhe vetë BE dhe na e ka treguar historia jonë, është baza për begatinë ekonomike dhe integrimin dhe unë e di se sa e rëndësishme është kjo për të gjithë qytetarët e Ballkanit. Ndaj mendoj që askush nuk mund të nënvlerësojë interesin e të gjithëve ne për rifillimin e këtij dialogu, në mënyrë të respektuar ndaj të gjithëve”, u shpreh zonja Mogherini e cila më pas pati një takim me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, ndërsa në mbrëmje vonë pritet të bisedojë dhe me presidentin serb Aleksandër Vuçiç.
Përpara takimit me zonjë Mogherini, presidenti Thaçi u takua me kryeministrin Edi Rama. Në një postim në Facebook, zoti Thaçi shkruan se “mes tjerash biseduam për domosdoshmërinë e hapjes së plotë të kufirit Kosovë-Shqipëri dhe krijimin e një hapësire shqiptare pa kufi, nën ombrellën euroatlantike”. Ai shton më tej se “në këtë takim ngritëm nevojën e korrigjimit të padrejtësive historike, duke bashkuar faktorin shqiptar rreth sensibilizimit të së drejtës të bashkëngjitjes së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me territorin e Republikës së Kosovës”, një ide e hedhur prej tij si pjesë e një marëveshjeje të mundshme me Serbinë.