Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell, tha të mërkurën në Prishtinë se qytetarët e Kosovës duhet të shtojnë presionin mbi autoritetet për problemet me të cilat përballen, si dhe duhet të kërkojnë llogari dhe ndryshim përmes votës.
O’Connell tha se Kosova duhet t’i dëgjojë miqtë e saj, në të kundërtën, sipas tij, nëse bashkësia ndërkombëtare “humb durimin”, do të ishte dëm shumë i madh për Kosovën.
“Kosova ka nevojë për përkrahjen e vazhdueshme të bashkësisë ndërkombatëre dhe nëse kjo humbet, do të ishte problem jetik për Kosovën. Qytetarët mund të bëjnë ndryshimin, ne nuk kemi të drejtë vote këtu. Presioni i qytetarëve është e vetmja mënyrë për t’i detyruar politikanët të marrin masa”, tha O’Connell.
Këto komente, ambasadori i bëri në forumin “FOL Hapur”, ku u diskutua për funksionimin e Qeverisë së Kosovës, proceset rekrutuese që monitorohen nga ambasada britanike, korrupsionin dhe krimin e organizuar.
“Nëse njerëzit vazhdojnë të votojnë për partitë që shkelin ligje, që përfshijnë kriminelë, që keqpërdorin gjërat, që punësojnë njerëz në bazë të partisë dhe njerëzit nuk reagojnë, ne nuk kemi çfarë të bëjmë. Do të vijë dita kur ne do të kemi një vendim të vështirë për përkrahjen tonë për Kosovën”, tha O’Connell.
Ambasadorët e vendeve perëndimore të akredituar në Kosovë, kohëve të fundit, i kanë shpeshtuar deklaratat përmes të cilave i kritikojnë institucionet e Kosovës për dukuritë negative si: korrupsioni, keqmenaxhimi i parasë publike, nepotizmi dhe punësimet partiake.