Bashkimi Evropian kritikoi ashpër vendimin e Turqisë për të përsëritur zgjedhjet për kryebashkiak të Stambollit, pas fitores së opozitës.
“Sigurimi i një procesi zgjedhor të lirë, të drejtë dhe transparent është thelbësor për çdo demokraci dhe është në zemër të marrëdhënieve të Bashkimit Evropian me Turqinë”, tha përmes një deklarate shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini.
Qeveria franceze u bëri thirrje autoriteteve turke të tregojnë “respekt për parimet demokratike, pluralizmin, drejtësinë dhe transparencën”.
Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Mass, tha se përsëritja e zgjedhjeve është “e pakuptueshme”.
Guy Verhofstadt, udhëheqësi belg i grupit liberal në Parlamentin Evropian, tha se Turqia po “shkon drejt diktaturës”.
Vendimi për përsëritjen e zgjedhjeve lokale në Stamboll u mor nga Kolegji Zgjedhor i Turqisë.
Muajin e kaluar, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, i ka humbur zgjedhjet lokale në Stamboll – qytetin më të madh të Turqisë – por Erdogan ka refuzuar të pranojë humbjen.
AKP ka thënë se ka pasur parregullsi që e kanë zhvlerësuar votimin.
Vendimi për të mbajtur zgjedhje të reja më 23 qershor shkaktoi protesta në Stamboll të hënën.
Kandidati i opozitës, Ekrem Imamoglu, i cili i fitoi zgjedhjet për kryetar të këtij qyteti, e përshkroi vendimin si “tradhti”.