Ballina Sport “Pikiata” e Neymar, do të vlejë 170 milionë € vitin e ardhshëm

“Pikiata” e Neymar, do të vlejë 170 milionë € vitin e ardhshëm

Thomas Tuchel, trajner i PSG, e ka qortuar Neymar për sulmin (grushtin) ndaj një tifozi, pas finales së humbur të Kupës së Francës kundër Rennes: “Nuk më pëlqen aspak, nuk mund ta bënte këtë”. Tani, në këmbim të grushtit ndaj tifozit, ylli brazilian është duke pritur dënimin përkatës, sipas rregulloreve të FFF-së.

Sidoqoftë, ky nuk është problemi i vetëm i 222 milionë euroshit. Ka më shumë të tillë. Pas humbjes së finales së Kupës, ai bëri deklarata, që i shqetësoi shokët e tij. Si futbollist me pritshmëri të larta, edhe ky sezon nuk ka qenë i mirë për të. Thashethemet mediatike janë rikthyer, ato nënvizojnë jetën e tij të pakënaqur në Paris.

Me Real Madridin në kërkim të një superstari për projektin e ri, emri i Neymar lakohet në “Santiago Bernabéu”. Megjithatë, njerëzit afër tij janë të sigurt se presidenti Nasser Al-Khelaïfi nuk do ta lejojë të largohet nga “Parc des Princes”. Për asnjë çmim. Një gjë tjetër do të jetë në qershor të vitit 2020. Kontrata, që Neymar nënshkroi me klubin parizien, kur pagoi 222 milionë euro për të lënë Barçën, nuk përfshiu ndonjë klauzolë të prishjes së saj për tri sezonet e para në Paris.

Kështu bën sot me dije “Mundo Deportivo”. Pra, i mbetet të luajë edhe sezonin e ardhshëm, pastaj mund të vendosë vetë për të katërtin. Në verën e vitit 2020, Neymar do të kushtojë 170 milionë euro. Një shifër e madhe, por me një klub të aftë për ta marrë atë, si Real Madridi, por jo vetëm.