Ballina Aktualitet Për Bindjen Demokratike dhe Partinë Demokratike – Nga BESNIK MUSTAFAJ

Për Bindjen Demokratike dhe Partinë Demokratike – Nga BESNIK MUSTAFAJ

Ditët e fundit, opinioni ynë publik është njoftuar për krijimin e një partie të re politike. Emri i saj është Bindja Demokratike. Nismëtarët janë të gjithë të ardhur nga Partia Demokratike. Besoj se askush nuk është zënë në befasi nga ky lajm. Është një skizmë e shfaqur dy vjet më parë, saktësisht në maj 2017, kur Partia Demokratike publikoi listat e saj të kandidatëve për deputetë dhe ka ardhur vazhdimisht vetëm duke u acaruar. Por vetëm tani mori formën institucionale të një formacioni politik. Në këtë kuptim, unë mendoj se ky është një lajm i mirë për opinionin publik, sigurisht është një lajm i mirë për nismëtarët, por, e them me bindje se është një lajm i mirë edhe për vetë Partinë Demokratike.

Ky aspekt i fundit ka nevojë për një sqarim të vogël: Kush më shumë e kush më pak, nismëtarët e grupit themelues, me në krye Astrit Patozin, janë të gjithë figura të zëshme për opinionin publik. Gjatë këtyre dy vjetëve, secili veç e veç, ata kanë qenë pjesë e kritizerëve më të rreptë ndaj PD-së. Nganjëherë, madje, edhe më të rreptë se Partia Socialiste. Kritika dukshëm të zhbalancuara krahasuar me shigjetat që lëshonin ndaj Kryeministrit Rama. Nga ana tjetër, PD, si forcë e strukturuar politike, e kishte praktikisht të pamundur të ndërtonte një sjellje adekuate ndaj tyre. Ajo nuk mund të hynte as në polemika me ta, siç nuk mund të hyjë në mënyrë sistematike një parti e madhe politike në polemika me të gjithë individët që e kritikojnë, nuk mundej as të shtronte me ta një rrugë dialogu dhe bashkëpunimi për arsye se ata kishin një kusht të papranueshëm e që ishte largimi i Lulzim Bashës nga kreu i partisë. Bindja ime, nisur vetëm nga interesi publik, qysh në korrik 2017, ka qenë se ata duhej të krijonin partinë e tyre, gjë që ia kam shprehur miqësisht edhe Astrit Patozit, e kam shprehur edhe publikisht.

Ja ku u hodh edhe ky hap vendimtar. Vetëm tani Patozi dhe miqtë e tij kanë mundësi të bëjnë politikë në kuptimin e vërtetë të kësaj fjale. Deri tani ata vetëm kanë folur për politikën. Dhe kanë folur madje jo gjithmonë me gjakftohtësinë që do të kërkonte një ligjërim serioz politik. Me programin që do ta hartojnë pa vonesë, ma merr mendja dhe me sjelljen e tyre politike në vazhdim, ata duhet të tregojnë sa më shpejt se frymëzimi i tyre nuk është inati kundër Lulzim Bashës, Partisë Demokratike apo qoftë edhe kundër Sali Berishës. Po nuk e arritën këtë perceptim nga ana e publikut, me siguri e them se dështimi i tyre është i sigurt. Kur dështoi Gramoz Pashko e Arben Imami me Aleancën Demokratike apo Genc Pollo e Dashamir Shehi me Partinë e Re Demokratike, nuk shoh arsye pse nuk do të dështonte Astrit Patozi me Bindjen Demokratike. Unë nuk e dëshiroj dështimin e tyre. Dhe aq sa kuptoj unë nga politika, jam i bindur se suksesi i Bindja Demokratike nuk e cenon aspak suksesin e pritshëm e të dëshirueshëm të Partisë Demokratike. Përkundrazi. Dhe ja sepse: përvoja me skizmat e mëparshme më mëson mua se grupet e shkëputura nga PD, për të dalë “shtëpi” më vete, nuk kanë mundur kurrë të marrin me vete pjesë substanciale të elektoratit demokrat. Por, duke u konsumuar në sharje e në denigrim ndaj PD-së, ato e kanë tërhequr, megjithatë, PD-në në polemika të dëmshme, duke i marrë asaj pjesë të energjive politike dhe komunikative, që do të duhej t’i harxhonte në luftën politike me kundërshtarin e vet kryesor që ka qenë dhe është Partia Socialiste.

Kjo është arsyeja parimore pse unë këshilloj që Partia Demokratike si institucion, por edhe çdo demokrat individualisht nuk duhet t’i kushtojnë Bindjes Demokratike vëmendjen që meriton një kundërshtar i rrezikshëm. Shumë, shumë ata duhet të shohin në këtë rast lindjen eventuale të një konkurrence, e cila ka dobinë e vet edhe për një parti të madhe, siç është Partia Demokratike, në qasjen ndaj elektoratit gri, i cili, siç del edhe nga sondazhet serioze, përbën sot më shumë se gjysmën e elektoratit aktiv. Çdo sjellje tjetër nga ana e demokratëve do të nxirrte në pah vetëm një sedër të tepruar, të lënduar e që politikisht nuk do t’i prishte asnjë punë Edi Ramës. Do të jetë kjo forcë e re politike një opozitë fasadë për Edi Ramën apo një opozitë reale, këtë do të mund ta tregojë vetëm Astrit Patozi me bashkëpunëtorët e vet dhe jo ne, demokratët, me fjalët tona. Elektorati gri, i cili nuk e ka bërë ende zgjedhjen e tij për votën, do të gjykojë mbi faktet për të krijuar bindjen e vet, dhe jo mbi denoncimet tona, sado këmbëngulëse të jenë këto denoncime. Meraku im në këtë rast është që Partia Demokratike të mos lodhet kot, ndërkohë që ka përpara sfida shumë të rëndësishme, të cilat kërkojnë nga ajo shumë energji si dhe përmirësim të vizionit dhe të aksionit të asaj të përditshëm politik.

Kjo që po them unë nuk synon aspak një pajtim midis Lulzim Bashës dhe Astrit Patozit. Si demokrat i vjetër dhe si qytetar thellësisht i shqetësuar për gjendjen e rëndë ku e ka katandisur vendin qeverisja e korruptuar e Edi Ramës, unë po përpiqem thjesht të tërheq vëmendjen, sa nuk është vonë, te një e keqe që na ka bërë, pak a shumë, dëm në të shkuarën, duke e shfokusuar gjithsesi luftën tonë politike. Askush nuk e ka monopolin e opozitës, i madh apo i vogël qoftë ai. Aq më tepër në kontekstin e zhvillimeve të sotme. Rëndësinë e vet si opozitar e përcakton secili vetë, me të vërtetat që thotë dhe alternativën që i ofron mbarë shoqërisë. Kjo i nevojitet sot Shqipërisë.