Ballina Aktualitet Takimi i Berlinit – pajtim për të kërkuar pajtimin

Takimi i Berlinit – pajtim për të kërkuar pajtimin

Takimi i së hënës në Berlin, i organizuar nga kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, përfundoi me pajtimin që të mbahet një takim i ri i të njëjtit format më 1 korrik në Paris, por nuk hapi rrugë për rifillimin e procesit të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që ishte çështja qendrore e diskutimeve.

Në përfundimet e takimit, që u publikuan nga qeveria gjermane, thuhet mes tjerash se pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e një marrëveshjeje përfundimtare, ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës dhe se një marrëveshje e tillë është thelbësore për rrugën e Serbisë dhe Kosovës në Evropë. Ata ranë dakord që një marrëveshje e tillë duhet të jetë gjithëpërfshirëse, politikisht e qëndrueshme dhe të kontribuojë në qëndrueshmërinë e rajonit.

Serbia dhe Kosova, thuhet në deklaratë, janë pajtuar për të çuar përpara përpjekjet e tyre për të zbatuar marrëveshjet ekzistuese dhe për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, për normalizimin e marrëdhënieve, me qëllim të arritjes së një marrëveshje të plotë dhe përfundimtare.

Ndonëse organizatorët thanë se takimi i Berlinit nuk është zëvendësim i procesit të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, takimi hapi një forum të ri të diskutimeve në kërkim të rrugëve për rifillimin e bisedimeve të pezulluara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e cilësoi takimin shumë të rëndë, posaçërisht përballjen me delegacionin e Serbisë, që nguli këmbë në heqjen e tarifave ndaj mallrave serbe të vendosura gjashtë muaj më parë nga qeveria e Kosovës.

Presidenti Thaçi tha se “bisedimet duhet të jenë të pakushtëzuara”, ndërsa nënvizoi se nuk mund të ketë zgjidhje pa përfshirjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Kam theksuar edhe në takim se roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të arrihet një proces i dialogut, negociatave dhe marrëveshjes eventuale, historike për njohjen reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë, duhet të jetë mbështetja e fuqishme dhe zotimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. E theksoj edhe njëherë, mundësia më e mirë është që të respektohet substanca dhe korniza e letrës së presidentit Trump për arritjen e marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë”, tha presidenti Thaçi.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, e vlerësoi po ashtu të rëndë takimin duke i vlerësuar si shumë të ashpra qëndrimet e Prishtinës, ndërsa ritheksoi se heqja e tarifave ndaj mallrave serbe është i domosdoshme për rifillimin e bisedimeve.

Ai tha se takimi hapi mundësinë që të diskutohet për rihapjen e bisedimeve dhe ka krijuar një hapësirë për kërkimin e kompromiseve.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron thanë se takimi i organizuar prej tyre nuk ka të bëjë me marrje vendimesh.

“Asnjë marrëveshje nuk mund të bëhet në kurriz të të tjerëve, të cilët pastaj duhet të bartin pasojat”, tha kancelaria Merkel para fillimit të takimit të së hënës.

“Nuk kemi synim të japim recetën e zgjidhjes për Beogradin dhe Prishtinën, jo. Duam të shohim të gjitha mundësitë, të zbusim debatet dhe të përparojmë pa tabu dhe pa rritjen e tensioneve në rajon, sepse duam që të dyja palët të rifillojnë bisedimet”, tha presidenti Macron.

Deklaratat e të dy zyrtarëve të lartë janë komentuar si shenjë e qartë e kundërvënies ndaj ideve për prekjen e kufijve, të cilat u hodhën verën e kaluar, duke nxitur ndarje në skenën ndërkombëtare por edhe në Serbi dhe në Kosovë.

Takimi ishte edhe një qortim ndaj shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Federica Mogherini, të cilës posaçërisht Gjermania, i ka parë për të madhe që ka lejuar të diskutohet për kufijtë si dhe dështimin për të rifilluar bisedimet.

Të dyja palët janë përfshirë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve që është kusht për integrimet evropiane. Kosova ka mbetur e fundit në proceset integruese dhe të hënën udhëheqësit e saj u shprehën të zhgënjyer me faktin se qytetarët e Kosovës janë të vetmit në rajon që nuk gëzojnë lirinë e udhëtimit pa viza.

Serbia tashmë ka hapur negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por presidenti Vuçiç, njëkohësisht po forcon marrëdhëniet me Rusinë, aleaten tradicionale të Serbisë. Para Berlinit ai takoi presidentin rus Vladimir Putin dhe shpalli se ka mbështetjen e tij në qasjen ndaj Kosovës.