Ballina Bota Afganistani hap Asamblenë për të diskutuar procesin e paqes

Afganistani hap Asamblenë për të diskutuar procesin e paqes

Presidenti afgan, Ashraf Ghani në ceremoninë hapëse të takimit të 29 prillit

Presidenti afgan, Ashraf Ghani ka nisur të hënën takimin katërditor, Loya Jirga, me më shumë se 3,200 delegatë, duke synuar arritjen e pajtueshmërisë me talibanët.

Pjesë e këtij takimi janë politikanë, liderë të vjetër fisesh dhe figura tjera të rëndësishme të Afganistanit.

I dërguari special i presidentit Ghani, Omar Daudzai ka thënë se delegatët e refugjatëve afganë në Iran dhe Pakistan janë në mesin e pjesëmarrësve të takimit, që po zhvillohet në masa të rrepta të sigurisë në Kabul.

Ghani ka thënë se dëshiron të krijojë një “qasje të përbashkët
për paqe. Ai u ka bërë thirrje pjesëmarrësve, që i ka cilësuar si “ambasadorë të paqes” që të përcaktojnë “drejtimin” për procesin e paqes.

Negociatorët talibanë kanë refuzuar deri më tani të negociojnë me qeverinë, duke e cilësuar si kukull të Perëndimit dhe kanë insistuar që të tërheqen forcat e huaja para se të fillojnë bisedimet me Kabulin.

Shtetet e Bashkuara kanë rreth 14,000 trupa në Afganistan, në kuadër të misionit të NATO-s, përmes së cilit u ofrohet ndihmë trupave afgane dhe programe të trajnimit, me qëllim të luftimit të talibanëve dhe grupeve tjera ekstremiste, përfshirë grupin militant, Shteti Islamik dhe Al-Kaidën.

Javën e kaluar, Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Kina kanë thënë në një deklaratë të përbashkët se ata janë pajtuar për tërheqje të trupave të huaja nga Afganistani në mënyrë që t’i hapet rruga procesit të paqes të drejtuar nga “afganët e bashkuar”.