Shqiptarët që jetojnë në Shqipëri janë ndër njerëzit më të stresuar në botë. Këtë e thotë Gallup në raportin më të fundit të emocioneve për 2019-ën. Nga ky raport, i kryer në formën e një ankete, rezulton se, 55% e shqiptarëve është nën stres të madh.
Norma është bindshëm përtej mesatares globale që fiksohet në 35%. Kjo do të thotë se jemi të katërtit në listën e popujve më të stresuar në botë, pas Greqisë, Filipineve dhe Tanzanisë, si dhe në të njëjtat nivele me Iranin, Sri Lankan si dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në analizë janë marrë plot 140 shtete. Greqia që mban vendin e parë rezulton të ketë 59% të popullsisë së saj të stresuar, ndërkohë që vendet më pak të stresuar në botë janë ato të Amerikës Latine, me Paraguain dhe Panamanë apo Hondurasin.
Vendi ynë ndërkohë nuk figuron në listën e popujve më të shqetësuara apo të atyre më të zemëruar. Gallup në raportin global të emocioneve arrin në përfundimin se, njerëzit në botë sot janë më të stresuar dhe më të mërzitur se kurrë më parë dhe se në këtë gjendje emocionale ndikojnë shumë faktorë, si mosha apo pagat.