Ballina Aktualitet Turizmi, të huajt shpenzojnë 52 euro në ditë por qëndrojnë pak ditë...

Turizmi, të huajt shpenzojnë 52 euro në ditë por qëndrojnë pak ditë kurse shqiptarët bëjnë pushime të gjata

Turistët e huaj shpenzuan mesatarisht 52 euro në ditë gjatë qëndrimit të tyre në vendin tonë. Publikimi i fundit i Institutit të Statistikave për sektorin e turizmit gjatë vitit 2018 tregon se mesatarja e netëve të qëndrimit ishte 4.3 ditë. Nga përpunimi i të dhënave rezulton se grupi që na preferon më së shumti janë shtetasit nga Kosova ndërkohë që lidhur me profilin e transportit 81 për qind vijnë me makina private. Në 76 për qind të rasteve vendqëndrimi i turistëve të huaj është hoteli.

Nëse shohim raportin e netëve të qëndrimit sipas shtetësisë rezulton se turistët italianë janë ata që kanë pushime më “të gjata” në Shqipëri. Kështu mesatarisht italianët kanë 6.8 ditë qëndrimi dhe 64 për qind e shtetasve që kanë hyrë në territorin tonë kanë cituar si arsye pushimet. Ata kanë edhe shpenzimet më të larta ditore me 81 euro për person. Dy grupe të tjera si shtetasit nga Mali i Zi apo nga Greqia kanë mesataren e netëve të qëndrimit 3.7 dhe 3.6 ditë ndërsa shpenzojnë mesatarisht 60 dhe 59 euro për person në ditë.

Shtetasit nga Kosova kanë një mesatare qëndrimi prej 3.8 ditë dhe shpenzojnë 43 euro për person kurse maqedonasit qëndrojnë 3.9 ditë mesatarisht duke shpenzuar 46 euro për person në ditë.

Po shqiptarët që ikin jashtë?

Të dhënat e INSTAT tregojnë se shqiptarët që zgjedhin të pushojnë jashtë vendit nuk janë edhe aq larg mesatares që turistët e huaj shpenzojnë në vendin tonë. Kështu shtetasit shqiptarë rezidentë, referuar të dhënave të vitit 2018, kanë kaluar mesatarisht 7.5 netë qëndrimi jashtë vendit, duke shpenzuar mesatarisht 47 Euro në ditë. Në këtë mesatare përfshihet totali i të gjithë atyre që kanë udhëtuar vetëm për pushime si dhe pjesa e atyre për arsye personale. “Daljet e shtetasve shqiptarë rezidentë jashtë vendit për 2018 kanë qenë kryesisht për qëllim pushimesh (rreth 59 % të daljeve) dhe vizita te miqtë e të afërmit (rreth 30 % të daljeve)” thuhet në publikimin e INSTAT.

Vetëm ata që kanë udhëtuar për pushime kanë shpenzuar mesatarisht 46 euro në ditë ndërkohë që netët e qëndrimit rezultojnë mesatarisht 5.9 të tilla.

Destinacioni i preferuar i shqiptarëve për pushime në vitin 2018 rezulton Greqia. Të paktën 59 për qind e shtetasve shqiptarë qe kanë udhëtuar jashtë për pushime kanë konfirmuar se qëndrojnë në hotel ndërkohë që po 59 për qind preferojnë të udhëtojnë me makinë private.