Ballina Kulturë “Time” publikon listën e 100 personave me më ndikim në botë

“Time” publikon listën e 100 personave me më ndikim në botë

Prestigjiozja “Time” ka publikuar si çdo vit listën e 100 personave me më shumë ndikim dhe influencë në botë. Ndër 100 emrat e renditura në këtë listë spikasin emra si bashkëshortja e ish-Presidentit të SHBA-së, Barack Obama, Michelle Obama, aktori i njohur amerikan “The Rock” , këngëtarja Taylor Swift, Presidenti Donald Trump, themeluesi i Facebook Mark Zucherberg etj.

Aktori i njohur hollivudian Dwayne Johnson i njohur me emrin e artit “The Rock” është vlerësuar për mënyrën sesi sillet në ambientin e punës. Sipas koleges së tij Gal Gadot ai është mishërimi i shprehjes së njohur se njerëzit mund të harrojnë atë që keni thënë, njerëzit mund të harrojnë atë që keni bërë, por njerëzit kurrë nuk do të harrojnë se si i keni bërë ata të ndihen. “Dwayne gjithnjë përpiqet që njerëzit që punojnë me të ndihen sa më mirë kur ai është përreth.

Një tjetër personazh i njohur i renditur në listën e “Time” është këngëtarja Taylor Swift. Sipas mikut dhe kolegut të saj këngëtarit Shawn Mendes, Swift arrin të të bëjë të ndihesh më i ri. Sipas tij, Swift arrin që procesi i krijimtarisë artistike të duket i thjeshtë për njerëzit.

Këtë vit gazetarja dhe moderatorja Gayle King u quajt “Pioneer” nga Time. Për të është thënë se afërsia që ajo ka me të tjerët është një superfuqi që vetëm gazetarët më të mirë e zotërojnë.

Këtë vit në listën me 100 persona me më shumë ndikim në botë, 48 kanë qenë gra.

Një prej tyre ishte edhe politikania amerikane Nancy Pelosi. Për të përshkruar figurën e saj, Hillary Clinton ka përdorur këtë shprehje.

“Nëse doni diçka që të realizohet, kërkojani një gruaje të angazhuar për ta bërë. Nancy Pelosi është shembulli më i mirë se kur bëhet fjalë për të bërë një punë mirë, duhet kontaktuar një grua.

Një tjetër emër në këtë listë është edhe ylli i skuadrës së Liverpool, Mohamed Salah, i cili sipas komedianit John Oliver është një qënie më e mirë njerëzore, sesa një lojtar futbolli.

“Ju do ta keni të vështirë të gjeni një atlet profesionist më pak të ndikuar nga suksesi apo statusi sesa Mo. Është e pabesueshme sepse nuk mund ta imagjinoj llojin e presionit që vjen me intensitetin e adhurimit që merr”, -shprehet komediani.

Aktorja e njohur e serialit “Grey’s Anatomy”, Sandra Oh është gjithashtu pjesë e kësaj liste. “Me personazhet e saj, Sandra Oh ka zgjedhur që pa frikë të marrë hapësirë në një univers që nuk ka bërë gjithmonë hapësirë për të. Tashmë fuqia e talentit të saj krijon hapësirë për të tjerët. Dhe kjo është një dhuratë për çdo artist që ndjek hapat e saj”,-thotë kompozitorja Shonda Rhimes.

Në listën e 100 personazheve me më shumë ndikim është edhe Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump. Një koment për të e ka bërë ish-guvernatori i New Jersey, Chris Christie, i cili u shpreh se presidenti meriton vlerësim për situatën me Korenë e Veriut. “Çdo president modern i SHBA-së përpiqet të ndikojë në botë,” -tha Christie.

Vlerësim ka ardhur përmes kësaj liste edhe për kryeministren e Zelandës së Re, Jacinda Ardern pas masakrës në xhaminë e Christchurch pak kohë më parë.

“Jo vetëm që po vepron shpejt në lidhje me ligjin për armët në Zelandën e re, por ajo ka dërguar një mesazh të fuqishëm në mbarë botën për vlerat tona të përbashkëta, se ata që duan të na ndajnë kurrë nuk do të kenë sukses dhe se Zelanda e Re do të mbrojë dhe festojë gjithmonë diversitetin,’-u shpreh kryebashkiaku i Londrës, Sadiq Khan.

Komenti për ish-zonjën e Parë të SHBA-së Michelle Obama u bë nga diva e muzikës Beyonce. “Ta duash Michelle Obaman nuk ishte shumë e vështirë. Ishte diçka që erdhi natyrshëm. Ajo kishte ngjashmëri me ne dhe po lëvizte në hapësirat ku ne si amerikanë me ngjyrë, nuk kishim menduar të rriteshim aq shumë, ajo dukej aq e fuqishme”.

Sipërmarrësi Sean Parker ka dhënë komentin e tij për një nga emrat e tjerë në listën prej 100 personash, pikërisht për themeluesin e rrjetit socil “Facebook”, Mark Zucherberg. “Ai mund të ketë ndryshuar botën më shumë se çdo person tjetër i gjallë. Është e qartë se nuk ka pushtet apo para që e ka mbajtur atë, është një besim i vërtetë në potencialin e Facebook dhe një ndjenjë përgjegjësie për të menaxhuar kompaninë në atë që ai beson se është drejtimi i duhur”, u shpreh sipërmarrësi.

Lista e plotë: http://time.com/collection/100-most-influential-people-2019/