Ballina Kryesore TA MBËSHTESIM Dr. REKËN PËR PRESIDENT TË MAQEDONISË SË VERIUT – Nga...

TA MBËSHTESIM Dr. REKËN PËR PRESIDENT TË MAQEDONISË SË VERIUT – Nga Harry BAJRAKTARI*

Të Dielën, më 21 Prill, qytetarët e Maqedonisë së Veriut, u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur presidentin e kësaj republike. Nga tre kandidatët që ndodhën në këtë garë, është edhe intelektuali dhe diplomati shqiptar Dr. Blerim Reka, përballë dy kanditatëve maqedonas. E mira e këtyre zgjedhjeve presidenciale është se me përfundimin e tyre do të ikë nga presidenca njëri ndër shovenistët më të mëdhenj që ishte pengesë e afirmimit të shqiptarëve dhe pengesë për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, Gjorgje Ivanov.

Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut duhet të kujtojnë të kaluarën e tyre të largët dhe të afërt që pa rezervë ta përkrahin kandidatin e tyre të  pavarur Dr. Blerim Rekën. Z. Reka është më së e nevojshme të gëzojë mbështetjen edhe të të gjitha partive shqiptare, qofshin ato pozitë apo opozitë. Nuk duhet të ketë opozitë në këtë rast se ky është kandidati i parë shqiptar që do të përballët me dy kandidatët e dy partive të ndryshme maqedonase.

Me zgjedhjen e Dr. Rekës për president, do të fitonin për shumëçka shqiptarët, dhe jo vetëm shqiptarët, por edhe Republika e Maqedonisë së Veriut dhe i gjithë rajoni. Z. Reka gjatë fushatës ka shfaqur idetë liberale e demokratike për ta çuar vendin e tij drejtë integrimeve në Bashkimin Europian dhe në NATO.

Për këto karakteristika që kandidati i pavarur shqiptar ka shfaqur në fushatë bashkë me shumë ndryshime të disa ligjeve diskriminuese, do të duhej të gëzonte një mbështetje shumë më të madhe nga shqiptarët, duke marrë parasysh se ky mund të jetë shans i volitshëm që shqiptarët ta marrin presidencën. Kjo përkrahje do të duhej të jetë më e fuqishme dhe më e bashkuar për gjithë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut dhe shqiptarët në SHBA, e sidomos nga ata që kanë të drejtë vote, e gjithashtu edhe nga shqitarët e tjerë të diasporës Europiane dhe kudo tjetër.

Shembulli më i mirë u tregua nga malësorët e komunës së Tuzit që kur u bashkuan, fituan dhe kur vepronin ndaras, gjithmonë ishin humbës.

Shqiptarët në Maqedonin e Veriut kanë qenë faktorë vendimtarë në të gjitha proceset demokratike të këtij vendi, për një Maqedoni të barabartë për gjithë qytetarët dhe të gjitha etnitë, pa diskriminuar askënd.  Z. Reka, si president, do të ishte një unifikim i një Maqedonie moderne që do të afirmonte vlerat demokratike dhe të drejtat e etnive të shumta në këtë republikë.

Nëse dalin shqiptarët masivisht dhe votojnë Dr. Rekën, ai me siguri në rrethin tjetër, të dytë do të përballej me njërin nga kandidatët maqedonas, që dy garojnë prej tyre. Prandaj, ta mbështetim se vetëm kështu të përbashkuar mund të bëhemi zot në vendet tona në Ballkan.

 

___________________

*Autori është veprimtar dhe biznesmen i shquar i komunitetit shqiptaro-amerikan dhe themelues i gazetës “Illyria” në Amerikë.