Ballina Kryesore KRIJIMTARIA LETRARE QË PO NGRITË VLERAT KULTURORE KOMËTARE ME BASHKËPUNIMIN E NDËRSJELL...

KRIJIMTARIA LETRARE QË PO NGRITË VLERAT KULTURORE KOMËTARE ME BASHKËPUNIMIN E NDËRSJELL ME GJAKOVËN, TIRANËN, TROPOJËN DHE ME PEJËN ETJ…

-Nga promovimi i librit me poezi, “Terrinë mallëngjimi” të krijuesit nga Gjakova, Tahir Bezhani, në Qendrën Kombëtare të Kulturës dhe Arteve “Nacional” në Tiranë –

Nga Sejdi BERISHA i Pejës

Në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Kulturës dhe Arteve “Nacional” në Tiranë, Klubin e Shkrimtarëve “Gjon N. Kazazi” të Gjakovës dhe të Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Tropojë,  (më13 prill 2019), në ambientet e Qendrës Kombëtare të Kulturës dhe Arteve “Nacional” në Tiranë, u bë promovimi i librit me poezi, “Terrinë mallëngjimi” i krijuesit gjakovar, Tahir Bezhani.

Në këtë manifestim letrar dhe kulturor me peshë të veçantë, të cilin e udhëhoqi, krijuesi dhe i pari i gazetës “Nacional”, Mujë Buçpapaj, morën pjesë shumë krijues nga Tirana, Gjakova, Bajram Curri (Tropoja), Peja, Lezha, Klina, Durrësi dhe vende të tjera por edhe shumë dashamirë të fjalës së shkruar. Dhe vërtet, mund të thuhet se ishte një festë letrare, që duke pasur parasysh hartën gjeografike prej nga vinin krijuesit, e kishte edhe një mesazhin se sërish, gradualisht ka filluar afirmimi dhe bashkëpunimi i ndërsjellë letrar dhe kulturor kombëtar, i cili padyshim se ndikon në afirmimin e vlerave krijuese gjithëkombëtare e jo parciale.

Kjo shtrirje, që tani është shumë domethënëse në mes të Gjakovës, Bajram Currit, Tiranës, por edhe të disa qendrave të tjera, reflekton nevojën për angazhim më këmbëngulës që krijimtaria letrare të afirmohet dhe të bëhet hallkë e bashkëpunimit gjithandej trojeve shqiptare.

Në promovimin e librit, “Terrinë mallëngjimi”, përkitazi me vlerat letrare dhe poetike, të librit por edhe të krijimtarisë letrare të Tahir Bezhanit, folën shumë krijues.

Krijuesi dhe studiuesi, Mujë Buçpapaj, duke i bërë një analizë përmbajtjësore librit të T. Bezhanit, ai, në mes tjerash tha se: “…Edhe pse jeton në liri, shumë pikëpyetje për të ardhmen i kanë mbetur pa përgjigje. Si për shembull tek poezia: “Më vjen të qaj”. Bezhani, me koleksionin e poezive sociale në këtë libër, demonstron fuqinë e tij të vëzhgimit dhe shpesh të imagjinatës, si një karakteristikë e krijimtarisë së këtij autori, e vargut të tij thellësisht të ndjeshëm, të freskët dhe të larmishëm, mendoj duke tejkaluar edhe aftësitë e tij poetike.

Libri “Terrinë mallëngjimi”, mendoj se shënon një pjekuri në karrierën poetike të Tahir Bezhanit.

Deri në këtë libër, ajo metafizika e errësirës së Bezhanit, është mjaft e komplikuar, sido që në zemrën e tij, imazhi poetik mbart një lloj filozofie shpirtërore që kërkon e ngre pyetje themelore rreth asaj se çfarë është realiteti dhe përse ekziston jeta njerëzore?”, ka thënë në mes tjerash, Mujë Buçpapaj.

 

Poezia si mall dhe madhështi krijuese…

 

Ndërsa, shkrimtari dhe publicisti, Sejdi BERISHA, duke e konsideruar vargun e Tahir Bezhanit si, “si mall dhe madhështi krijuese”, vë në spikamë se, “Poeti, Tahir Bezhani, e do dhe e respekton shumë edhe vendlindjen, edhe Malësinë e Gjakovës, edhe Gjakovën, edhe çdo cep toke shqiptare. Andaj, vargjet dhe këndimin, të cilat, poeti në asnjë moment nuk i vë në pranga të vargëzimit të zorshëm, në vijim sikur hapin krahë gjithkah me frymën e dëlirtë të poetit: “Mos e mbyllni derën e kullës/As dritaret, leni pakëz të hapura/Mos u vini ngujore mbrapa/Ani se/ mund të ketë erëra, vetëtimë, bubullimë/…Sado vonë/Unë do vi nën strehën time…”!

Këtu vërejmë se autori krijon miqësi me vargun për t’i japë sa më shumë peshë thellësisë së mendjes dhe madhështisë së mesazhit.

Sa e fortë është tingëllima e këtij vargëzimi, e cila reflekton rrugëtimin historik por edhe qëndresën dhe mbijetesën. Kurse, historia, sikur është pikë e dobët e poetit.

Ai, kudo që ka shkuar, ka shkruar e kënduar, për Lezhën, për Krujën, për Gjakovën e Shkodrën, për Tiranën, tropojën, e shumë e shumë qytete, vise e vende të tjera, që edhe tash nxjerrin flakë historie. Vargjet nga poezia “Një natë në Lezhë”, ndoshta pikërisht është ai mllefi i përhershëm jo vetëm i këtij krijuesi, për fatin e atdheut: “Në kala dritat rrinë ndezur/Më bëhet se Gjergji ishte kthyer/Burrave u fliste në Kuvend/Ashpër çonte zërin:”Pse Shqipëria nuk është një vend/E shpata dridhet në gozhdë varur”!

Ndërsa, nganjëherë, kur poeti merret me vetveten, megjithatë, e kaplon mërzia dhe mallëngjimi, gjë e cila tregon se Tahir Bezhani, ndijimin, jo vetëm se e ka pjesë të rrugëtimit, por edhe e ka si një shok, i cili e ngushëllon kur ndjehet më së ngushti.

Edhe kjo karakteristikë e bën të ngrohtë vargun e këtij krijuesi: “Në këtë pus kohe të nxirë/Më vjen të qaj/Nuk di pse ngacmohem/Kaq në thellësi…/Lotët rrëshqasin/Të nxehtë/Në vetminë time”!

Pra, reale, e natyrshme, e fuqishme dhe e sinqertë, edhe pse krijuesi nganjëherë veten e sheh në një rrugëtim, herë të bukur e herë të furishëm e të shpejtë, e herë të mbështjellë edhe me ankth, edhe pse, ai në asnjë moment nuk i frikësohet kësaj pjese të jetës. E në situata të tilla, vendlindja shpeshherë i sillet rreth dhe i ngujohet në mendje duke ia shpalosur shumë faqe kujtimi, që janë padyshim ëmbëlsirë kënaqësie mbase edhe përmallimi: “Frynë një erë e nxehtë malli/Vjen vrullshëm nga vendlindja/Nuk them se ishte e valë/Më solli syve lotin e zjarrtë/…Shihja vendlindjen bukuri e rrallë/Dola në Pupçe, livadh me lule/Shikova Shkozën e madhe/Mbi kroin bënte hije…”!

Përkitazi me vlerat krijuese dhe poetike të Tahir Bezhanit, në një analizë të gjatë, i vuri në spikamë thesarin dhe mesazhin e vargut poetik të tij, krijuesi dhe analisti nga Tirana, Qazim Shehu. Ai si gjithëherë, me respektin më të madh krijues dhe profesional, nuk lë asnjë karakteristikë por edhe asnjë veçori, që librit i jep peshë, që krijimtarinë letrare të T. Bezhanit e stolis me vlerat dhe me zjarrminë poetike, që lexuesin gjithnjë e bënë për vete.

Ndërsa, në këtë manifestim letrar, mbresat e tyre përkitazi me librin e T. Bezhanit, “Terrinë mallëngjimi” i shprehen edhe, Prof. Dr. Ilia Larti, Prof. Anton Paplekaj, Shpend Topollaj, Ilir Zhiti dhe Dona Qose. Mendimet e tyre i dhanë peshë edhe më të madhe librit dhe manifestimit letrar.

Zgjerimi i bashkëpunimit letrar dhe kulturor, si nevojë dhe domosdo, është pjesë e punës dhe e angazhimit të krijuesve jo vetëm letrarë. Andaj, duke e përshëndetur këtë ngjarje letrare, kryetari i Klubit letrar “Gjon N. Kazazi” nga Gjakova, krijuesi i devotshëm, Muharrem Kurti, vuri në dukje se bashkëpunimi letrar, i cili ka filluar këtu e një decenie më parë në mes Gjakovës dhe Bajram Currit, ka ndikuar që kjo formë të bëhet pjesë cilësore e punës së shkrimtarëve dhe të asociacioneve letrare, siç është tani edhe me Tiranën, respektivisht me Qendrën Kombëtare të Kulturës dhe Artit “Nacional” dhe me gazetën “Nacional”. E që të gjitha këto, kanë reflektuar që edhe ecuritë krijuese letrare që kultivohen që janë kultivuar këtu e pesëdhjetë e pesë vite përmes Mitingut të Poezisë në Gjakovë e në dhjetë vitet e fundit, edhe në bashkëpunim me Tropojën, sërish të marrin formën e themeltë por edhe të re për afirmimin dhe të këmbimit të përvojave krijuese poetike jo vetëm përbrenda trojeve shqiptare.

Edhe piktori dhe krijuesi i mirënjohur nga komuna e Klinës, Idriz Berisha, duke përshëndetur këtë ngjarje letrare në emër të krijuesve letrarë nga Klina, tha se në këtë formë, jo vetëm se i bashkojmë dhe i forcojmë përvojat krijuese, por edhe i ngrijmë vlerat dhe cilësitë krijuese.

Në fund të promovimit të librit, “Terrinë Mallëngjimi” të Tahir Bezhanit, Mujë Buçpapaj, këtij krijuesi gjakovar ia dorëzoi Çmimin Vjetor të Gazetës Letrare “Nacional” për Vepër Jetësore.

Ndërkaq, Tahir Bezhani, u falënderua për këtë çmim, i cili është nder dhe krenari që do të ndikojë edhe në punën time të mëtejme.

Kryesimi i eventit letrar promovues: Muharrem Kurti i Gjakovës – kryetari i Klubit Letrar “Gjon Nikollë Kazazi”, Tahir Bezhani i Gjakovës – autori i librit poetik “Terrinë Mallëngjimi”, Mujë Buçpapaj – botuesi i Nacional dhe i librit poetik të Bezhanit, Sejdi Berisha i Pejës – referues në promovimin e librit dhe autori i shkrimit.

Pamje nga salla e eventit letrar promovues në Qendra e Kulturës dhe Artit “Nacional” në Tiranë.