Kombet e Bashkuara thonë se ndryshimet klimatike, konfliktet dhe paqëndrueshmëria ekonomike krijuan vitin e kaluar, pasiguri akute lidhur me ushqimin për më shumë se 113 milionë njerëz në mbarë botën.
Në raportin vjetor mbi krizën e ushqimit të organizatës për Ushqim dhe Bujqësi (FAO) thuhej se nga 53 vende që vuajnë nga sasia e pakët e ushqimit, Jemeni kishte nevojë urgjente për ndihmë, ndjekur nga Republika Demokratike e Kongos dhe Afganistani.
Në raportin e FAO-s thuhet se 2018 ishte viti i tretë radhazi gjatë të cilit numri i njerëzve që u përballën me të gjitha nivelet e pasigurisë ushqimore i kapërceu të 100 milionët, megjithëse shifra ishte pak më e ulët sesa viti 2017, kur numri arriti në 124 milionë njerëz. Në studim thuhet se disa vende u prekën më pak nga moti i keq si thatësirat dhe përmbytjet.
FAO thotë se pret që numri i personave të zhvendosur, refugjatëve dhe imigrantëve të rritet nëse kriza aktuale politike dhe ekonomike në Venezuelë vazhdon.