Ballina Aktualitet Deputeti gjerman, Peter Bayer: Kundërshtojmë fuqishëm idenë e këmbimit të territoreve

Deputeti gjerman, Peter Bayer: Kundërshtojmë fuqishëm idenë e këmbimit të territoreve

Gjermania e kundërshton idenë e këmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, tha të hënën në Prishtinë deputeti i Bundestagut, Peter Bayer.

“Ne jemi në vizitë zyrtare, por ne jemi me miqtë tanë. Biseduam për proceset nëpër të cilat po kalon Kosova. Kemi folur për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, të cilin e mbështesim, por edhe për temën e këmbimit të territoreve, të cilën Gjermania e kundërshton fuqishëm. Ne do të jemi partnerë mbështetës i Kosovës për proceset e ardhshme, sigurisht me një sy kritik”, tha Bayer.

Këto komente ai i bëri pasi së bashku me deputetin tjetër gjerman, Christian Schmidt, takuan kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Siç njofton Zyra e Kryeministrit, gjatë takimit, Haradinaj bisedoi me deputetët gjermanë për procesin e dialogut me Serbinë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, duke shprehur përkushtimin e Kosovës për arritjen e një marrëveshjeje që do të rezultonte me njohje të ndërsjellë.

Po ashtu, në takim u bisedua për bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, por edhe për procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Ideja për ndryshimin e kufirit është shpërfaqur në opinion që prej verës së vitit të kaluar nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Thaçi, i cili e përfaqëson Kosovën në bisedimet me Serbinë, ka thënë se në Bruksel do të kërkojë që Presheva, Medvegja dhe Bujanoci, t’i bashkohen territorit të Kosovës.

Por, kundër idesë së ndryshimit të kufirit është kryeministri Haradinaj, i cili thotë se prekja e kufijve mund të sjellë tragjedi në Ballkan.

Qëndrime për dhe kundër kësaj ideje ka edhe në qarqet ndërkombëtare.