-Politikani ndryshon nga shtetari si pjesa me të tërën.
-Politikani e konsideron qytetarin si votues, ndërsa shtetari e konsideron votuesin si qytetar.
-Për politikanin dita më e rëndësishme është ajo e votimit, ndërsa për shtetarin dita më e rëndësishme nisë pas ditës së votimit.
-Politikani e ndan popullin në grupe elektorale, shtetari e bashkon elektoratin në unitet mbarë popullor.
-Politikani e ndan kohën në segmente mandatesh, shtetari i lidh segmentet e mandateve në shtrirje afatgjatë.
-Politikani e fragmenton territorin në parcela elektorale, shtetari e unifikon territorin mbi kohezion territorial.
-Politikani e ndan ekonominë në kategori shoqërore dhe grupe interesi, shtetari e zhvillon ekonominë mbi kohezion social ekonomik.
-Politikani mendon për kohën e vet, shtetari mendon për kohët që vijnë.
-Krizat janë dukuri universale dhe të perhershme, prandaj fuqia e liderëve politikë ka të bëjë me aftësinë e parashikimit, parandalimit dhe zgjidhjes paqësore të tyre.
-Vlera më e madhe e politikanit të kohës sonë është aftësia për bisedë, dialog dhe negociatë, sepse biseda, dialogu dhe negociatat dëshmojnë nivelin e qytetërimit të politikanëve, individëve, grupeve, komuniteteve dhe popujve, ndërkohë që arroganca dhe dhuna dëshmojnë nivelin e primitivizmit të tyre.
-Politika pa aftësi diplomatike është e ngurtë dhe konfrontuese. Diplomacia pa principe politike është e thyeshme dhe e paqëndrueshme.
-Diplomacia përpara se të jetë profesion është mision – mision i paqes në kohë lufte dhe mision i prosperitetit në kohë paqeje.
-Diplomati, juristi dhe politikani janë tre hallka të një procesi, sepse diplomati negocion, juristi drafton tekstin, politikani vendos. Asnjëri nuk bën pa tjetrin.
-Në politikë kompromisi është mekanizmi për zgjidhjen e krizave, ndërsa diplomacia është rruga për arritjen e kompromisit, por ndërsa kompromisi është i përkohëshme dhe për cështje të caktuara, diplomacia është e përhershme dhe universale.
-Politikani nuk cmohet vetëm nga volumi i dijeve që ka në kokën e tij, por parasëgjithash nga aftësia për të përdorur dijet dhe përvojat e veta dhe të njerëzve rreth tij në kohën, vëndin dhe mënyrën e duhur.
-Për politikanin mënyra më e vyer për të lartësuar veten dhe për të cmuar kohën e tij është leximi dhe dëgjimi, sepse nga leximi dhe dëgjimi politikani kurrë nuk humbet.
-Shpesh në politikën e ditës thuhet se gjithcka është para. Por për politikanin e mencur para e vërtetë është arsimimi i popullit të tij.
-Respektin për të ardhmen ndaj popullit dhe kombit të vet politikani e shpreh në investimin për mësuesit dhe profesorët.
-Nga të gjitha burimet pasurore që mund të ketë një vënd, më i rëndësishëm është burimi njerëzor.
-Politika e mirë investon në arsim më shumë se kudo, sepse cdo investim material e monetar vlerësohet e c’vleresohet, vetëm investimi në arsim tek njerëzit mbetet kapital i përjetshëm.
-Shumëkush mendon se fuqia kombëtare varet nga territori, popullsia apo pasuritë, ndërkohë që koha ka provuar se elementi më i rëndësishëm i fuqisë kombëtare është arsimimi i popullsisë.
-Vënde të pasura me popullsi të paarsimuar mbeten përherë të varfëra, ndërkohë që vëndet e varfëra me popullsi të arsimuar herët a vonë bëhen të pasura.
-Popujt e vëndet e vegjël kanë nevojë për liderë të mëdhenj që të kompensojnë atë që objektivisht u mungon.
-Popujt e vëndet e vegjël nuk i rrezikon aq prania dhe monitorimi ndërkombëtarëve, por më shumë izolimi dhe harresa prej tyre.
-Politikat kombëtare pa parime demokratike janë të rrezikshme. Ndërsa parimet demokratike jashtë interesave kombëtare janë të padobishme.
-Sa më shumë që bota shkon drejt integrimeve dhe globalizmit aq më shumë lypet të forcohen identitetet kombëtare, sepse integrimet dhe globalizmi i ekspozojnë identitetet kombëtare përballë konkurrencës së pamëshirshme.
-Mbrojtja e kontrolli i territorit shtetëror është prioritet edhe në kushtet e integrimeve dhe globalizmit, sepse territori është e vetmja hapsirë ku popujt lindin dhe kristalizojnë identitetet e tyre kombëtare, politike, ekonomike dhe sociale.
-Cënimi i territorit shtetëror ose dalja jashtë kontrollit e tij përbën kërcënim shumë serioz për vetë identitetin kombëtar, politik, ekonomik e shoqëror të popullit.
-Shkëmbimet apo cënimet territoriale shtetërore janë lëkundje tektonike komplekse, fundi i të cilave është zor të parashikohet.