Ballina Enciklopedi Projekt botëror për mbarëvajtjen e bletëve

Projekt botëror për mbarëvajtjen e bletëve

Shifrat paraprake të Departamentit amerikan të Bujqësisë tregojnë se popullata e bletëve në Shtetet e Bashkuara vazhdon të bjerë. Kjo rënie është pjesërisht rezultat i pesticideve, por edhe i faktorëve natyrorë si isektet që infektojnë kosheret. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Kevin Enochs, kompania teknologjike Oracle ka bashkuar forcat me rritësit e bletëve në shkallë globale për t’i ndihmuar të kontrollojnë mbarëvajtjen e kolonive.

Rritësi i bletëve nga Londra, John Davey po merr pjesë në një eksperiment unik për të mbledhur të dhëna për bletët nga e gjithë bota.

“Kemi dy kabllo, njëri mbledh të dhëna nga kosherja, si përqindjen e lagështisë, tjetri regjistron temperaturën në koshere. Këto janë shumë të rëndësishme gjatë gjithë sezonit”.

Në koshere ka edhe ndjesorë të tjerë që analizojnë zhurmën dhe përcjellin të dhënat në një sistem kompjuterik në hapësirën kibernetike të krijuar nga kompania teknologjike Oracle. Kjo kompani po punon me shoqatën jofitimprurëse britanike ‘Projekti Botëror i Bletës’ që drejtohet nga Sabiha Malik dhe synon të garantojë që njerëzimi do të vazhdojë të ketë bletë për procesin jetik të pllenimit që na siguron ushqimin.

“Kjo është hallka e domosdoshme që shumë prej nesh shpesh e harrojmë. Bletët nuk janë të nevojshme thjesht për të prodhuar mjaltë, por edhe për polenizimin, pasi pa këtë proces nuk prodhohet ushqim,” thotë Sabiha Malik.

Të gjitha të dhënat e mbledhura nga sensorët, analizohen përmes inteligjencës artificiale për të identifikuar mënyra për dallimin e koshereve me probleme. John Abel punon për Oracle:

“Regjistrojmë të dhëna për lëvizjen e bletëve, vendndodhjen, ndotjen e mjedisit, rastet kur bletët janë pranë zonave industriale. Mund të dallojmë si ndikon vendndodhja pranë një hekurudhe apo një lumi. Të gjitha shërbejnë për të analizuar se si do të reagojë kosherja në lidhje me mjedisin”.

Por të dhënat nga një koshere e vetme nuk mjaftojnë për analiza, prandaj kompania Oracle po krijon një rrjet gjigand kosheresh nën vëzhgim. Sistemi do të krahasojë të dhënat dhe do të nxjerrë konkluzione mbi faktorët që mundësojnë koshere të shëndetshme:

“Po përdorim një sistem të hapur ku kushdo mund të regjistrojë të dhëna, në mënyrë që të mbledhim sa më shumë informacione. Na duhen miliona koshere që sistemi të funksionojë në mënyrë të pavarur,” thotë zoti Abel.

Një sistem i pavarur do të jetë në gjendje t’u dërgojë rritësve të bletëve paralajmërime nëse diçka nuk është si duhet në koshere, si dhe do t’u dërgonte studiuesve informacion mbi pikat e globit ku bletët janë më të shëndetshme. Bletët e shëndetshme mundësojnë një sistem të shëndetshëm për prodhimin e ushqimit.

“Bletërritësit mund të përdorin këto të dhëna për të kuptuar se si mund të krijojnë një ekosistem dinamik që krijon mundësi për polenizim më të mirë gjë që nënkupton më shumë prodhime ushqimore për vendin, për komunitetet e tyre, por edhe për mbarë botën,” thotë zoti Abel.

Sistemet monitoruese për kosheret kanë kosto relativisht të ulët, thotë zoti Abel. Ai shpreson se çdo bletërritës që e konsideron me interes këtë projekt, do të kontaktojë kompaninë Oracle për t’u përfshirë në rrjetin e të dhënave.